E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa eliminon Tiranën nga Kupa e Shqipërisë

TIRANE- Tirana është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, megjithëse fitoi 4-2 ndaj Besës në ndeshjen e kthimit. Sfida e zhvilluar në “Selman Stërmasi” ka qenë një spektakël i vërtetë, sidomos në pjesën e dytë të saj, kur u shënuan të gjithë golat. Bardheblutë kanë qenë shumë pranë kualifikimit deri në minutat e fundit, por edhe pse në diferencë të katër golave, Besa nuk është dorëzuar, duke arritur të shënojë dy herë.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll në barazim pa gola dhe me një shtyllë të goditur nga Tirana. Në minutën e parë të pjesës së dytë Julian Ahmataj arriti të realizonte golin e avantazhit, pas një krosi të Muzakës nga e majtë. Dy minuta më pas ishte Sebino Plaku që shënoi golin e dytë, pas një krosi të Abilaliajt. Ndeshja u duk se u mbyll në minutën e 50-të, kur Plaku mori një penallti pas një pengimi të Fagut. Nga pika e bardhë Andi Lila nuk fali dhe e çoi ndeshjen në 3-0. Besa më pas tentoi gjithçka, por në minutën e 68-të pësoi edhe golin e katërt, me autor sërish Julian Ahmatajn, i gjendur i lirë në zonë. Ndeshja u rihap sërish në minutën e 74-t, kur Abraham pengoi Daniel Xhafën dhe arbitri Jemini akordoi një penallti për Besën. Nga pika e 11-metërshit ishte Bledar Mancaku ai që shënoi golin e shpresës për kavajasit. Kur duheshin edhe 10 minuta nga përfundimi, ishte Daniel Xhafa që shënoi golin e kualifikimit për Besën, pas një gabimi të portierit Nallbani, që nuk e zotëroi siç duhet topin.
Në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Shkumbini fitoi 2-1 ndaj Dinamos, në një fushë tepër të rënduar dhe ku skuadrat e kishin të vështirë të ndërtonin aksione të rrjedhshme. Dinamo kaloi e para në avantazh me anë të Kulit, por peqinasit u përgjigjën me dy penallti të shndërruara në gol nga Bakiu. Kupa e Shqipërisë do të vijojë të dielën me ndeshjen Gramozi-Teuta, ndërsa javën e ardhshme do të luhet sfida e kthimit mes Vllaznisë dhe Skënderbeut.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›