E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, serbët pajisen me dokumenta kosovare

MITROVICë- Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të përfaqësuesve politikë serbë të Mitrovicës drejtuar qytetarëve të këtij komuniteti, që të mos aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës, është shtuar numri i atyre që pajisen dhe aplikojnë për këto dokumente.

Zëdhënësi në komunën e Mitrovicës, Hysni Syla, thotë se ka një trend në rritje të aplikimeve për dokumente personale nga ana e qytetarëve serbë, krahasuar me vitin e kaluar.

“është një numër i caktuar që dëshmon se qytetarët serbë i kërkojnë dokumentet e Republikës së Kosovës. Rreth 300 dokumente të lëshuara tregojnë se ata nuk hezitojnë që të vijnë në komunë dhe t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme, të cilat atyre u duhen. është fjala për certifikata të lindjes, të vdekjes, të shtetësisë e të tjera”, thotë Syla.

Përveç certifikatave e dokumenteve të tjera, statistikat tregojnë se është rritur edhe numri i aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime të Kosovës.

Duke e parë trendin në rritje të aplikimeve për dokumentet e shtetit të Kosovës, organet paralele serbe nga veriu i Mitrovicës u kanë dërguar apel serbëve që t’i bojkotojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.

“Paralajmërohen qytetarët serbë që mos t’i marrin dokumentet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, si: pasaporta, letërnjoftime apo patente shoferi, pasi që në këtë mënyrë ata indirekt e pranojnë këtë shtet të shpallur njëanshëm”, ka apeluar Ivica Markoviq, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës.

Serbët e Kosovës janë ballafaquar këto vite në vazhdimësi me trysnitë nga Serbia dhe organet e saj paralele për t’i bojkotuar institucionet vendase. Përderisa në pjesën qendrore e lindore të Kosovës, komuniteti serb po lirohet ngadalë nga kjo trysni, strukturat paralele serbe vazhdojnë të jenë më të fuqishme në veri, ku edhe vërehet një ndikim më i madh i tyre te serbët lokalë.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›