E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa frenon Skënderbeun, Flamurtari thyen “tabunë”

TIRANE-Atë që nuk e kanë bërë Vllaznia, Teuta e Tirana, e ka bërë dje Besa e Ilir Dajës. Skuadra kavajase ka barazuar 1-1 me Skënderbeun, duke rihapur në njëfarë mënyre kampionatin në javën e nëntë. Ndeshja e djeshme ka qenë tejet e vështirë për kampionët në fuqi, të cilët kanë barazuar vetëm në fund, kur vendasit kishin mbetur me 10 vetë. Por, protagonist i sfidës, të paktën për skuadrën kavajase, ka qenë arbitri Laver Alla, që dha një penallti dhe dy kartona të kuq për të. Ai nxorri jashtë për protesta teknikun Ilir Daja, që ka kontestuar ashpër vendimet e kryesorit, ndërkohë që 12 minuta para fundit, me të kuqe ka dalë edhe futbollisti kosovar Berisha.
Sa i përket takimit, ai nisi më i mirë për Besën, që ishte më kërkuese, ndonëse rastet e pastra munguan. Në minutën e fundit, një pengim i Roshit në zonë solli protestat e kavajasve për një penallti, por gjyqtari ka vazhduar lojën. Tetë minuta nga starti i pjesës së dytë, arbitri Alla ka dhënë një penallti për një prekje me dorë të Kajës, por nga pika e bardhë, Pero Pejiç ka gabuar. Në minutën e 67-të, ishte Mihani që kaloi vendasit në avantazh. Gjuajtja e tij nga një goditje standarte prej 20 metrash, pushoi në rrjetën e portës së Orges Shehit. Reagimi i korçarëve qe i shpejtë, por ishte dalja me karton të kuq e Berishës që ua lehtësoi më shumë punët. Vetëm një minutë pas këtij momenti, në të 79-tën, Sebino Plaku ka barazuar shifrat. Gjithsesi, në minutat e mbetura nuk ka ndryshuar asgjë, megjithëse Skënderbeu ishte me një futbollist më shumë.
Flamurtari
Nëse deri një vit më parë mbanin një rekord absolut prej 35 ndeshjesh pa humbje në shtëpi, këtë sezon vlonjatët e patën kthyer në një tabu fushën e tyre, duke mos fituar asnjë ndeshje. Për këtë arsye, takimi i djeshëm ndaj Kastriotit kishte një rëndësi të madhe për skuadrën që drejtohet nga spanjolli Hulian Rubio Sançez. Në fund, futbollistët e tij nuk kanë zhgënjyer, duke marrë fitoren e parë, në shifrat 3-0 dhe duke shkuar 9 pikë larg kreut, që mbahet nga Skënderbeu. Një triumf, që ndoshta mund të shënojë kthesën për skuadrën e Sançez, e ndërtuar me qëllimin për të fituar titullin kampion në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ndaj krutanëve, vlonjatët kanë luajtur një ndeshje thuajse perfekte, duke sulmuar që nga minuta e parë, me qëllim që të gjenin golin. Takimi ka qenë spektakolar, me raste në të dyja portat, ndërsa goli i parë ka ardhur në minutën e 45-të, kur Franc Veliu ka ekzekutuar bukur një goditje dënimi. Miqtë mbetën me 10 vetë, ndërsa dy minuta para fundit, Muzaka ka dyfishuar shifrat pas asistit të Memellit. Ky i fundit realizoi edhe golin e tretë në minutat shtesë, duke e kthyer sfidën në një triumf.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›