Tirana në pikiatë, tjetër “katastrofë” ndaj Kukësit
TIRANE- Ajo disfatë 4-0 në Kupë duket se nuk ka qenë aspak rastësi. Tirana është mundur sërish nga Kukësi, këtë herë në kampionat, në fushën e saj, në ndeshjen e parë post-Lekbello dhe ku pritej më shumë se kurrë kthesa. Që bardheblutë janë në krizë, kjo nuk do mend të kuptohet, pasi 4 javë pa fitore janë shumë për një skuadër që pretendon titullin. Për më tepër, ajo e djeshmja ishte humbja e dytë rresht në kampionat, madje me një kundërshtar që debuton në Kategorinë Superiore. Që Tirana është në krizë, kuptohet edhe nga fjalët e Alban Tafajt në fund të takimit, kur tekniku kryeqytetas e ka pranuar hapur se skuadra nuk arrin të finalizojë as ato që krijon. E megjithatë, një humbje me Kukësin është vërtet e rëndë për lojtarët që mbajnë veshur fanelën e skuadrës 24 herë kampione të vendit. Madje, miqtë kanë merituar gjithçka, duke treguar qartësi dhe grintë në fushën e lojës. Gjëra që duket se i mungojnë në këto momente Tiranës. Dhe si të mos mjaftonte humbja, Kukësi është tashmë dy pikë para në renditje, duke e zbritur Tiranën në vendin e shtatë. Duket se kjo javë punoi tërësisht për Skënderbeun, që megjithëse barazoi në Kavajë ndaj Besës, e rriti me një pikë diferencën nga ndjekësit. Humbja e Vllaznisë në Durrës, bëri që korçarët të jenë më të qetë në majën e klasifikimit.
NDESHJA
Tirana e ka nisur takimin e djeshëm me shumë dëshirë për të shënuar dhe për të marrë fitoren ndaj një skuadre që dy javë më parë i pati turpëruar në Kupë. Presidenti i Kukësit Safet Gjici pati premtuar 20 milionë lekë premio për këtë ndeshje, duke i motivuar në maksimum futbollistët e tij. Minuta e 18-të sjell golin e parë për kuksianët. Arbitri Enea Jorgji ka fishkëllyer një penallti, pas një kontakti në ajër mes mbrojtësit Entonio Pashaj dhe Popoviç, ndërsa nga pika e bardhë ka qenë Igli Allmuça ai që e ka marrë përsipër gjuajtjen dhe ka shënuar. Në stadium kanë qenë të pranishëm rreth 2 mijë tifozë kuksianë, që kanë qenë më të shumtë në numër se ata të Tiranës. Alban Tafaj ka nxjerrë nga loja sulmuesin Çota që në minutën e 35-të, duke treguar haptazi se nuk është dakord me sjelljen e tij në fushë. Por, as futja e Abilaliajt nuk e ndryshon monotoninë e Tiranës, madje sulmuesi vlonjat gabon një rast të artë në fundin e pjesës së parë. Gjithsesi, në minutën e 63-të Gilman Lika ka barazuar gjithçka, duke shënuar pas një asisti të Klodian Duros. U duk se ishte momenti i kthesës për Tiranën, por miqtë e kanë marrë shumë shpejt veten dhe kanë arritur të shënojnë me anë të kosovarit Ylli Hoxha, duke shkuar kështu në kuotën e 15 pikëve.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)