E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa kundër Grasshopersit e basteve

Besës së Kavajës nuk i duhet vetëm të luftojë në "Niko Dovana" (ora 17:30) me zviceranët e Grasshopers për të përmbysur deficitin e ndeshjes së parë (1-2), kundër kompanive ndërkombëtare të basteve, që e shohin dukshëm jo favorite skuadrën shqiptare, por dhe të arrijë fitoren e parë në një kompeticion evropian, ku në 11 ndeshjet e zhvilluara ka arritur 7 barazime e 4 humbje. Kompania e njohur e basteve online betxplorer ofron këto koeficientë: 3.90 për fitoren e Besës, 3.32 për barazimin dhe 1.77 për fitoren e Grasshopersit. Ndërkohë që për kompaninë Bëin fitorja e Besës llogaritet 3.75, barazimi 3.35 dhe fitorja e Grasshopersit 1.85.
PREMIO - Presidenti Bizhdili, parë dhe rezultatin e ngushtë të ndeshjes së parë, me diferencën e një goli, ka vendosur një premio të madhe për kualifikimin : 80 mijë euro, ose shumë më tepër sesa Besa ka marrë nga bonuset që jep UEFA për pjesëmarrjen dhe ecurinë në Kupën Intertoto (rreth 60 mijë euro). Në takimin e parë të zhvilluar në Zvicër, Besa humbi me rezultatin e ngushtë 2-1. Dy golat për zyrihasit u realizuan nga boshnjaku Senad Lulic në minutat 67-të e 79-të për rekordmenët zviceranë. Golin e vetëm për kavajasit e realizoi me kokë haitiani me pasaportë franceze Herbi Fortunat në minutën e 83-të (një supergol), duke i lënë të hapura mundësitë Besës për një kualifikim në turin e tretë. Fortunat, Meto e Shoshi u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Skuadrës shqiptare i mjafton edhe një fitore 1-0, ose përndryshe cdo fitore tjetër me diferencë prej dy golash (3-1, 4-2). Një përsëritje e rezultatit 2-1, do t'i conte ekipet në kohën shtesë, e më pas nëse rezultati nuk do të ndryshonte, te gjuajtjet e penalltive.
REKORD - Një herë fituesja e Kupës së Shqipërisë i ka të gjitha shanset të vendosë një rekord unikal shqiptar në Kupën Intertoto. Nëse do të arrijë të mposhtë mposhtë skuadrën e Grasshopersit do të kalojë në turin e tretë të kompeticioni të tretë evropian për klubet përsa i përket rëndësisë, kur më parë kanë dështuar Teuta, Vllaznia e Partizani. Nëse Besa do të arrijë të kualifikohet në turin e tretë do të përballet me fituesen e ciftit NK Gorica (Slloveni)- Chernomorets Burgas (Bullgari), teksa takimi i tyre i parë ka përfunduar 1-1.
FOKUS – Për disa nga lojtarët titullarë të Besës: Zekeria Ramadani, Artim Shaqiri, Liridon Leci, Driton Krasniqi apo dhe Andi Lila, ndeshja kundër Grasshoperisit do të jetë e fundit me fanellën verdhezi. Ramadani e Shaqiri kanë nëshkruar kontrate në Azerbajxhan, ndërsa Leci ndiqet nga zviceranët e Tunit e Jang Bojs. Menaxherët e dy klubeve helvetike do të jenë të pranishëm në "Niko Dovana" për të parë në aksion lojtarët. Liridon Leci ishte autori i golit të barazimit të Besës në Qipro kundër Ethnikos Aknasit, që solli edhe kualifikimin në turin e dytë të kavajasve. Ndeshja e kthimit, Besa-Grasshopers do të gjykohet nga një "skuadër" gjyqtarësh rumunë me kryesor Augustus Viorel Konstantin. Ndihmës të tij janë George Adrian Vidan dhe Ionel Popa. Gjyqtari i katërt do të jetë gjyqtari shqiptar Kridens Meta. Delegati i UEFA-s është turku Jusuf Namoglu, ndërsa vëzhguesi i UEFA-s për arbitrat është izraeliti Suheil Daod.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›