E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani, “vrasësi” i miqësoreve

Tetë gola në tri ndeshje miqësore përbëjnë një bilanc "vrasës" për sulmuesin shqiptar të Karlsruhes, Edmond Kapllani, i cili pati një sezon me problemë në debutimin e tij të parë në Bundesligën 1.
Edhe pse flitet për "lumë golash" – Kapllani realizoi 5 gola brenda 20 minutash kundër VFB Bulh – në teste kundër ekipeve lokale, rajonale apo dhe të kategorisë së katërt, trajneri Edmund Beker, pohon se ka parë te sulmuesi i Kombëtares shqiptare, një lojtar me një mentalitet agresiv, të etur për të lënë pas zhgënjimin dhe të gatshëm për të bërë një sezon të madh në vitin e dytë të tij në Bundesligë dhe për t'i siguruar mbijetesën Karlsruhes.
Trajneri Edmund Beker është duke aplikuar një skemë me pesë mesfushorë e një sulmues, dhe mësa duket Kapllani do të jetë opsioni i parë, pasi durrsaku ka lënë në hije "armikun" e tij më të madh të Karlsruhe, australianin Xhoshua Kenedi (vetëm katër gola në miqësore).
Kapllani shënoi një gol kundër Tus Metzingen (4-0), pesë gola ndaj VFB Bulh (13-0) dhe dy gola në testin e tretë dhe të fundit për momentin kundër SV Schluchtern (10-0).
Karslsuhe ishte ekipi i parë nga 18 skuadrat e Bundesligës që filloi fazën përgatitore duke shpallur haptazi synimet e saj për një vend në kupat europiane – të paktën në Intertoto - parë faktin që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 11-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›