E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasanbelliu: “Teuta do të rikthehet në elitë”

Teuta do të rikthehet më e fortë se kurrë duke pretenduar të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Paralajmërimi vjen nga drejtuesit durrsakë, që janë të bindur se kanë një arme plus me rikthimin e trajnerit Sulejman Starova, nën drejtimin e të cilit, "djemtë e detit" dy vite më parë u shpallën nënkampione të vendit.
Për televizionin prestigjioz Vizion Plus, presidenti i Teutës, Emdond Hasanbelliu tha: "Starova dihet që është një nga trajnerët më të mirë. Ka punuar parvjet me Teutën dhe ne dolëm në vendin e dytë. Dolëm më sukses, kështu që dëshiruam ta kthenim prapë në skuadër. Skuadra këtë vit do të jetë më e fortë dhe do të jetë në elitën e ekipeve shqiptare". Por ndërkohë Teuta, deri në këto momente nuk është në listën e skuadrave që janë paraqitur agresive në merkaton e verës, duke pasur një vonesë të madhe në kompletimin e skuadrës. Për më tepër nga ekipi janë larguar pothuajse gjysma e lojtarëve, pas paraqitjes së dobët në sezonin që sapo lamë pas.
"Pothuajse gjysmën e skuadrës e kemi larguar, - vazhdon Hasanbelliu, - për arsye se ajo dështoi vitin që kaloi duke rrezikuar dhe rënien nga kategoria. Do të marrim nga jashtë lojtarë cilësorë. Akoma s'kemi firmosur me ndonjë lojtar, por në provë janë disa lojtarë nga Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi e nga Bosnja". Vitin e kaluar Teuta u rendit në vend të 9-të, duke u detyruar të zhvillonte edhe ndeshjen playout me Burrelin per të qëndruar në Superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›