Besa, sa shumë “tradhëti” ndaj Kastriotit

Kastrioti ishte ekipi i parë që theu mitin e një Bese të jashtëzakonshme, që më shumë ishte produkt mediatik i një merkatoje me shumë bujë, me plot 13 lojtarë që vinin nga kampionatet e huaja. Barazimi 2-2 i arritur në Krujë la jo pak gjurmë te trajneri i dorëhequr Hasan Lika. Jo më pak e hidhur ishte për teknikun Përparim Daiu dhe humbja 3-0 në cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, që solli edhe një reagim të pazakontë të presidentit kavajas Bizhdili, që i la futbollistët të ktheheshin në shtëpi me makina të rastit.
Situata megjithatë nuk ka ndryshuar shumë dhe Besa ka vetëm 2 pikë më shumë në renditje se Kastrioti: 13-11.
Besa është ekipi i vetëm që nuk ka fituar të paktën një ndeshje në shtëpi duke qenë një handikap për skuadrën. Tre barazime dhe dy humbje flasin për një moment të vështirë psikologjik përballë tifozerisë verdhezi, që jo pak herë është shfaqur agresive. Dy ekipet vinë nga rezultate të ndryshmë në javen parardhëse. Besa barazoi në shtëpi me Elbasanin (2-2), ndërsa Kastrioti pësoi një humbje të merituar në Gjirokastër, me Luftëtarin e pathyeshëm në shtëpi. Sulmuesi i Besës, senegalezi Binogol do të mungojë në përballjen me Kastriotin për shkak të plotësimit të kartonave të verdhë, ndërkohë që do të rikthehet mbrojtësi shkodran Ervis Kraja, autor i 4 golave për Besën gjatë këtij sezoni. Në kampin e Kastriotit të drejtuar nga Petrit Haxhiaj mendojnë për një rezultat pozitiv duke shpresuar edhe në formën e jashtëzakonshme të sulmuesit Oriand Abazaj (7 gola), por dhe te paraqitjet e mira të zimbabvianit Xhanuari Ziambo.
Faza e Parë
Kastrioti - Besa 2-2
Shenues: Ziambo 15', Turdiu 85'/ Binogol 57', Veliaj 75'
E shtunë, 26 gusht 2006, ora 17:00, në stadiumin "Kastrioti" të Krujës
Bilanci ndermjet tyre: 10 ndeshje, 4 fitore Kastrioti ( e fundit 08.05.1996 2-0 (ne tavoline), 3 barazime ( i fundit 26.08.2006 2-2), 3 fitore Besa ( e fundit 23.12.1995 2-0), gol. 11-10