Flamurtari, “e treta e vërteta” me Shkumbinin

Pas dy fitoresh të mëdha me Tiranën (3-2) në Vlorë dhe Partizanin (3-0) në Tiranë, Flamurtari pret në shtëpi Shkumbinin, rivalin direkt për mbijetesë, që gjithashtu arriti në javën e fundit të fazës së parë një barazim me shumë vlera me Tiranën (2-2), duke provokuar edhe shkarkimin e trajnerit të bardhebluve, Mirel Josa.
Me 13 pikët në 11 javë, Flamurtari ndihet më komod se kundështari i tij peqinas (11 pikë), për më tepër që luan në shtëpi. Kapiteni vlonjat, Johan Driza në një prononcim për të përditshmen sportive "Metropol Sport", pohoi se ekipi i Flamurtarit e ka bërë kthesën e dëshiruar, por dy fitoret e rëndësishme me Tiranën dhe Partizanin, nuk mund ta cojnë kurrsesi në vetëkënaqësi skuadrën, që ka nevojë më shumë se kurrë nevojë për pikë të plota në shtëpi. Në pesë ndeshjet shtëpiake Flamurtari ka fituar 3 takime, ndërkohë që ka humbur 2 të tilla: me Teutën (1-2), që solli edhe pezullimin e fushës për tri javë, dhe me Besën (1-2) në ndeshjen e zhvilluar në fushën asnjanjëse "Adush Muca" në Ballsh.
Në takimin e parë midis dy ekipeve të zhvilluar në fushën sportive të Peqinit, skuadra e Shkumbinit fitoi me rezultatin 2-1, ku u shënua edhe goli i parë i kampionatit nga Arsen Beqiri në minutën e 3-të. Një fitore e peqinasve të drejtuar atëherë nga trajneri i shkarkur Vasil Bici, që vlonjatët ia faturuan gabimeve elementare të portierit të Flamurtarit, Estraf Billa, aktualisht i përjashtuar nga ekipi. Më shumë se kujtdo tjetër ajo humbje e Flamurtarit, që vinte si kampion i Kategorisë së Parë, i dhëmb ish-trajnerit, Agim Canaj.
"Me ardhjen e trajnerit Faruk Sejdini ne krye të skuadrës, gjendja ka ndryshuar për mirë dhe ne lojtarët kemi besim në forcat tona", shprehet sulmuesi krysor i Shkumbinit, Dorian Bubeqi. "Grupi sa vjen dhe forcohet cdo ditë dhe synojmë t'i rikthehemi atij starti fantastik në fillim të sezonit. Një nga fitoret tona ishte dhe ajo ndaj Flamurtarit, gjë që synojmë ta përsërisim sërish". Shkumbini pësoi gjashtë humbje rresht, por barazimi me Tiranën në kryeqytet ka rikthyer optimizimin e duhur në skuadrën e Faruk Sejdinit, që edhe sezonin e kaluar ishte trajneri që e shpëtoi skuadrën peqinase nga rënia nga Kategoria Superiore.
Faza e Parë
Shkumbini - Flamurtari 2-1
Shenues: Beqiri 4', Ramazani 73'/ Xhafa 34'
E shtunë, 26 gusht 2006, ora 17.00, në fushën sportive të Peqinit
Bilanci ndermjet tyre: 23 ndeshje, 8 fitore Shkumbini ( e fundit 26.08.2006 2-1), 6 barazime ( i fundit 15.12.2001 0-0), 9 fitore Flamurtari ( e fundit 27.09.2003 3-0), gol. 30-32