E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush do të dimërojë në pozitën e parë?

Ejup LLUMNICA

Këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll. Vetë fakti se ndeshjet e fundit do të përcaktojnë se kush do të dimërojë në pozitën e parë bën të kuptosh se ishte një stinor interesant dhe mjaft dramatik. Shumë skuadra nga të cilat nuk është pritur aq shumë, kanë befasuar me lojë dhe organizim të mirë. Në anën tjetër, disa nga skuadrat që kanë paralajmëruar sukses të madh, si duket, janë duke u përballur me një krizë, të cilën pritet ta kalojnë në stinorin pranveror. Besa - Trepca Nëse bazohemi në përbërjet e këtyre dy skuadrave, të cilat posedojë futbollistë mjaft cilësorë, atëherë është shumë vështirë të konkludohet se cila do të jetë më e suksesshme. Një gabim shumë i vogël edhe mund ta vendosë fatin e kësaj ndeshjeje. Mirëpo, nëse kemi parasysh se kampioni aktual, Besa, paraqitet para shikuesve të saj dhe se kjo fitore mund t'i sjellë edhe titullin vjeshtor, atëherë me të drejtë pritet fitore e tyre, edhe pse një gjë e tillë mund të ndodhë shumë lehtë edhe për Trepcën. Flamurtari - Kosova (V) Edhe pse përballë do të kenë një skuadër shumë të mirë, "flamurtarët" në ndeshjet e fundit vërtet kanë shkëlqyer. Kjo si duket i ka motivuar edhe më shumë futbollistët e kësaj skuadre të luftojnë për kreun e tabelës. Gjithsesi, tri pikë nga kjo ndeshje do t'i bënte "kuqezinjtë" njërën nga skuadrat favorite për titull. Në anën tjetër, Kosova me fitore eventuale shumë lehtë mund të shpallet kampion vjeshtor. Gjilani - Prishtina Pas eliminimit nga garat e Kupës së Kosovës, skuadra e Prishtinës të gjitha forcat tashmë do t'i përqendrojë në titullin e kampionit. Kjo bën që ata në asnjë mënyrë të mos dështojnë në ballafaqim me Gjilanin. Fitorja e Prishtinës mund t'i pozicionojë ata në vendin e parë për këtë stinor, andaj ky do të jetë një motiv shtesë që ata nga ky udhëtim të kërkojnë pikë të plota. Drenica - Shqiponja K. S. Është ky takimi i fundit i skuadrës së Drenicës që paraqitet këtë stinor para adhuruesve të saj, andaj ky është një rast që ajo këtë stinor të përshëndetet me fitore nga adhuruesit dhe njëherësh të shkojë në pushim paksa më e qetë. Në anën tjetër, për pejanët është ky një takim mjaft i rëndësishëm. Në rast të fitoreje, ata mund të jenë edhe kampion vjeshtor dhe nëse e arrijnë këtë, atëherë do të ishte befasia shumë më e madhe, por gjithsesi e merituar. Besiana - KEK-u Një fillim shumë i mirë i skuadrës së Besianës, por që në vazhdim të kampionatit u paraqitën shumë ngecje në lojën e saj, ky është një rast i mirë që stinorin vjeshtor ta përmbyllin me fitore dhe për garat e ardhshme të mobilizohen edhe më shumë që prapë të hyjnë në luftë për titull. Në anën tjetër, "elektricistët" pas barazimit në fushë të vet kundër të fundit në tabelë, Kosovës së Prishtinës, do të mundohen që përsëri t'u kthehen lojërave të mira. Kosova (P) - Liria "Hotelierët" në ndeshjet e fundit vërtet kanë treguar lojëra shumë të mira. Në tri takime radhazi shënuan dy fitore (për Kupën e Kosovës) dhe një barazim (në kuadër të Superligës). Kjo sikur ua ka shtuar apetitin edhe më shumë futbollistëve të trajnerit Mehmet Fetahu, që në ndeshjen e fundit të shënojnë fitore dhe deri diku t'i ngjallin shpresat se stinori i ri do të jetë shumë më i frytshëm. Në anën tjetër, skuadra me traditë, Liria, në Prishtinë vjen pas një fitoreje të lartë 5:1 kundër Lepencit (në kuadër të Kupës së Kosovës) dhe me të drejtë pritet që ata edhe në këtë takim të kërkojnë fitore. Trepca ‘89 - Hysi Me tri pikë të fituara nga ky takim, për mitrovicasit gjasat për kampion vjeshtor janë shumë të mëdha dhe gjithsesi ata këtë rast të ofruar do ta shfrytëzojnë maksimalisht. Skuadra e Hysit, e cila në disa ndeshje kishte paraqitje shumë të mira, madje arriti t'i befasojë edhe disa skuadra shumë të mëdha, do të mundohet që këtë sukses ta përsërisë edhe përballë "xehetarëve". Ferizaj - Vëllaznimi Kur kemi parasysh se ferizajasit në fushën e tyre janë skuadër shumë e fortë dhe shumë vështirë thyen, atëherë mund të themi se edhe këtë herë pritet fitore e tyre. Gjakovarët, të cilët në ndeshjet e fundit kanë arritur të tregojnë lojëra të mira, do ta kenë shumë vështirë që nga Ferizaj të kthehen me rezultat të favorshëm. Orari i ndeshjeve: E shtunë: Drenica - Shqiponja I. Mustafa, F. Jakupi, N. Ajvazi Besiana - KEK-u A. Hoxhaj, A. Gashi, I. Veseli Kosova (P) - Liria G. Shala, Sh. Grainca, A. Latifi E diel Besa - Trepca H. Hajdari, A. Morina, J. Musolli Trepca '89 - Hysi P. Hasani, B. Fejzullahu, G. Havolli Ferizaj - Vëllaznimi S. Rrahmani, I. Shuleta, A. Sopi Flamurtari - Kosova (V) I. Kelmendi, Z. Berisha, H. Sheremeti Gjilani - Prishtina Z. Qorraj, G. Daka, F. Agërbashi Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›