E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, koha për të kthyer fatin e sezonit

Milani do të kërkojë me ngulm të kthejë në rrugë të mbarë këtë sezon të Serisë A, kur të udhëtojë sot drejt Empolit, për t'u ndeshur me skuadrën vendase, në ora 18:00. Gjigantja e futbollit italian i ka humbur katër nga pesë ndeshjet e fundit në kampionat, përfshi edhe tri ndeshjet e fundit, atë kundër Interit, Atalantës dhe Romës, duke shkarë plot 20 pikë pas bashkëkryesueseve, Interit dhe Palermos, pas vetëm 11 javësh kampionat. Dhe, duke qenë se titulli "kampion" duket tashë si "mision i pamundur", synimi real i Milanit në futbollin italian tashmë është shndërruar në një vend midis katër të parave të renditjes dhe, bashkë me të, një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Por, edhe ky objektiv relativisht modest, do të bëhet i vështirë, nëse kuqezinjtë milanezë nuk fillojnë të fitojnë, sa më shpejt të jetë e mundur.
Shpjegime të ndryshme janë dhënë për këtë vazhdë rezultatesh të dobëta dhe, ajo që spikat më tepër, është dështimi i sektorit të sulmit, pasi Filipo Inzagi, Alberto Xhilardino dhe Rikardo Oliveira kanë shënuar vetëm një gol në 10 ndeshjet e fundit në Serinë A. Mbrojtja e moshuar e Milanit, që në qendër ka 38-vjecarin Paolo Maldini, është vënë në fokus të kritikave, ashtu sikundër është kritikuar edhe faza e nxituar përgatitore për ndeshjet e turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Dhe, një listë e gjatë dëmtimesh, ku përfshihen mesfushorët Xhenaro Gatuzo dhe Masimo Ambrozini, si dhe mbrojtësi Kaka Kaladze, Serzhinjo dhe Xhuzepe Favali, nuk ka ndihmuar aspak në këtë drejtim. Por, pashmangshmërisht, shumica e kritikave është përqendruar te trajneri Karlo Anceloti, pozitat e të cilit nuk janë lëkundur asnjëherë kaq shumë, që nga koha kur ai u emërua në krye të paninës kuqezi, në nëntor të 2001-shit.
"Situata është mjaft delikate, por asgjë nuk ndodh aksidentalisht dhe, këto rezultate janë një shenjë e qartë se disa gjëra nuk shkojnë sic duhet, - u citua Anceloti nga e përditshmja sportive italiane, "La Gazzetta dello Sport". - Ne kemi folur shpesh për përgatitjet tona parasezonale dhe për dëmtimet. Gjithsesi, tani, ne duhet t'i lëmë mënjanë këto gjëra dhe të fillojmë t'i bëjmë ndryshe gjërat. Sipas mendimit tim, problemi nuk është stili ynë, por, është fakt se po paguajmë një cmim goxha të lartë për gabimet që bëjmë. Duhet ta shmangim bërjen e këtyre gabimeve dhe të ndalim së shpërdoruari rastet për shënim. Milan zakonisht shtyn shumë lojtarë përpara në sulm dhe kjo është faza ku ndëshkohemi shpesh. Dhet të tregohemi më të kujdesshëm, por mendoj se ka ardhur koha e kthesës."
Më tej, trajneri i Milanit, shtoi: "Nuk është se unë nuk jam i shqetësuar, sepse jam mjaft i shqetësuar, por, kjo skuadër di sesi të gjejë forca në vetvete dhe të tregojë karakterin e saj, kur e lyp nevoja." Zakonisht, Empoli do të cilësohej si një ndeshje e lehtë, por, këtë sezon, skuadra modeste nga Toskana ka bërë një fillim sezoni për t'u patur zili dhe nuk njeh humbje në pesë ndeshjet e fundit. Madje, kjo skuadër korri edhe një fitore surprizë, duke ngadhënjyer 2-0 ndaj Palermos, kur sicilianët vizituan stadiumin "Kastelani", në shtator. Dhe, një tjetër fitore e Empolit ndaj një skuadre të madhe, vecse do ta thellonte krizën te Milani. Ndërkaq, të dielën në mesditë, Inter pret Rexhinën, një skuadër që, ndonëse mban vendin e fundit në renditje, ka arritur një sukses të madh, pasi e ka kapërcyer tashmë ndëshkimin me -15 pikë, të dhënë për rolin e saj në skandalin e përgjimeve dhe trukimeve të ndeshjeve.
Gjithsesi, kampionia (në tavolinë) e Italisë duhet të jetë një kockë e fortë për skuadrën kalabreze. Një gol në castet e fundit shtesë nga sulmuesi në formë, argjentinasi Hulio Kruz, kundër Parmës, fundjavën e shkuar, mundësoi fitoren e katërt radhazi në Serinë A për skuadrën e trajnerit Roberto Mancini. Pezullimi i Zllatan Ibrahimovic nënkupton se Kruzi do të rreshtohet në sulm përkrah Hernan Krespos, që nga fillimi. Ndërkohë, Palermo, do të synojë të vendosë një rekord të ri për klubin, me 6 fitore radhazi në Serinë A, duke kërkuar fitoren të shtunën në mbrëmje në Sardenjë, përballë Kaljarit vendas. Por kësaj skuadre i duhet të bëjë pa organizatorin Euxhenio Korini, i cili është i pezulluar, dhe pa sulmuesin David Di Mikele, i cili pësoi një dëmtim në atë fitore 2-0 të arritur fundjavën e shkuar kundër Torinos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›