E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa sprovon Trepçën

Fitorja që e shënoi së fundmi ndaj Trepçës ’89 e ka shtuar moralin në radhët e Besës. Pejanët tani janë shumë të motivuar dhe të shtunën synojnë ta mposhtin edhe ekipin tjetër mitrovicas, Trepçën. Por, edhe kjo e fundit i synon pikët e plota në Pejë, për të dëshmuar se seriozisht ia ka mësyrë titullit të kampionit.

Fitorja që e shënoi së fundmi ndaj liderit aktual të Superligës, Trepçës ’89, ka bërë që të kthehet morali në kampin e Besës, e cila deri para një jave përjetoi krizë të madhe të rezultateve si asnjëherë më parë.

Ajo fitore ka bërë që pejanët ta fitojnë bindjen se kanë mundësi për ta mposhtur çdo skuadër tjetër kosovare dhe kështu të mbesin në Superligë edhe për një vit tjetër.

Tri pikët që i fituan në përballje me Trepçën ’89 i kanë rritur apetitet e pejanëve, të cilët tani fitoren e kanë objektiv edhe përballë kandidatit tjetër për titull, respektivisht ekipit tjetër mitrovicas, Trepçës, me të cilën do të luajnë si vendas të shtunën në kuadër të xhiros së trembëdhjetë të Superligës.

Kështu thotë edhe vetë trajneri i ekipit kuq e bardh, Miftar Rama. “Seriozisht jemi duke kaluar nëpër një formë të mirë dhe këtë e konfirmon fitorja ndaj Trepçës ’89. Mirëpo, në duel me Trepçën do të hyjmë pa eufori. Do të përpiqemi të shënojmë fitore, por njëkohësisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha trajneri i pejanëve, Miftar Rama.

Besa nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë objektivin, sepse në këtë ndeshje e motivuar hyn edhe Trepça pas fitores që e shënoi ndaj kampionit aktual Prishtinës, e cila i futi mitrovicasit në luftë për titull. Andaj, ‘Xehetarët’ pohojnë se në Pejë shkojnë për tri pikë të reja.

“Jemi të vetëdijshëm se Besës i duhen pikët, por pejanët ta mundësojnë të luash futboll. Ata gjithmonë krijojnë kushte për të fituar ekipi më i mirë, andaj edhe të shtunën le të fitojë më i miri. Sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe ndaj Besës ne hyjmë për fitore, sepse duam që të qëndrojmë sa më afër Trepçës ’89 e Prishtinës deri në janar. Atëherë me pak përforcime do të bëhemi kandidatët më seriozë për titull”, tha futbollisti kyç i gjelbërezinjve, Shpëtim Babaj.

Po të shtunën Drenica do të përballet me komshiun Ferronikelin, derisa të dielën luhen tri takime tjera.

Raiffeisen Superliga – Java XIII

E shtunë

Besa – Trepça 13:00

Drenica – Ferronikeli 13:00

E diel

Vëllaznimi – Prishtina 13:00

Drita – Hajvalia 14:00

Trepça ’89 – Hysi 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›