E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus-Inter derbi i rekordeve

Dy javë për t’u mbyllur derën në fytyrë rivalëve direkt për titullin, për të festuar 115 vjetorin e krijimit dhe ti tregojë të gjithë opinionit se mbetet skuadra më e fortë. Sfida e së shtunës përballë Interit, në orën 20:45 në “Juventus stadium” do të mbyllë një periudhë mjaft intensive për Juventusin.

Prej 20 tetorit, kur bardhezinjtë mposhtën 2-0 Napolin në duelin e parë për titull, kanë kaluar 14 ditë. Gjatë kësaj kohe, “Zonja e Vjetër” ka regjistruar dy fitore të vuajtura kundër Catania-s e Bologna-s, klubi dhe tifozët kanë festuar përvjetorin e krijimit të klubit torinez, ndërsa tashmë vjen përballja e radhës për kreun e Serisë A.

Sfiduesi është Interi, ndjekësi më i afërt në klasifikim, me 4 pikë më pak se Juventusi. Përpara “Derbit të Italisë”, drejtuesit e dy skuadrave kanë evituar polemikat, madje për të krijuar një situatë disi normale rreth dy rivalëve të përjetshëm, presidenti Agnelli ka ftuar Morattin që të jetë i pranishëm në stadium.

“Juventus Stadium” do të jetë i mbushur me kapicitet të plotë, ndërsa bardhezinjtë kanë zgjedhur heshtjen, duke mos dalë në konferencë për shtyp përpara sfidës. Gjithsesi, historia tregon se dueli duket i vendosur pa nisur: në 109 ndeshje, Interi ka fituar vetëm 19 herë.

Nëse kësaj i shtohet fakti që në shtëpi skuadra e Antonio Conte-s nuk ka humbur asnjëherë, bardhezinjtë shfaqen dukshëm si favoritë. Ky do të jetë një derbi rekordesh, edhe sepse Juventusi nuk njeh humbje prej 49 ndeshjesh dhe në 10 javët e para ka grumbulluar 28 pikë, një rekord historik në kampionatin italian.

Vlera e lojtarëve që do të zbresin në fushë arrin shifrën e 503 milionë eurove, me futbollistët e Juventusit që vlejnë më shumë. Megjithatë, në fushë diferencat janë minimizuar dhe Interi shfaqet i frikshëm. Jo më kot, zikaltërit paraqiten në këtë ndeshje pas tetë fitoreve radhazi, nga të cilat 6 në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›