E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besart Berisha goli numer 18

Besart Berisha vazhdon të tregojë formën e jashtëzakonshme që po përjeton në kampionatin australian. Sulmuesi shqiptar ka realizuar golin e radhës në ndeshjen e javës së 25-të, ku Brisbejn Roar barazoi 1-1 në shtëpi përballë Adelaide Junajtid.
26-vjeçari realizoi në minutën e 71-të, duke barazuar rezultatin, pasi më parë Adelaide kishte kaluar në avantazh me Ramsej, pas një kundërsulmi perfekt, duke bërë që në stadiumin “Sankorp” të pllakoste heshtja. Barazimi 1-1 mund të cilësohet një hap fals për Brisbejnin, që në këtë mënyrë shkëputet me 2 pikë nga kryesuesit e kampionatit, Sentrëll Kost Mariners, që renditen të parët me 45 pikë. Me golin e shënuar, Berisha ngjitet në kuotën e 18 rrjetave në këtë sezon dhe paraqitjet e tij e kanë bindur përfundimisht trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi që ti rezervojë një fanellë kuqezi në takimin e radhës.
Sulmuesi kryeson bindshëm klasifikimin për golashënues në A-League-n australiane, ndërsa duhet theksuar që ai ka dyfishin e golave nga ndjekësit më të afrët, Brukie, Grifiths dhe Smeltz, të gjithë në kuotën e vetëm 9 rrjetave të realizuara. Kjo edhe sepse mënyra si Besart Berisha gjen rrugën e rrjetës është e frikshme, pasi ai shënon mesatarisht 0,8 gola në ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›