E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria a trukohet nga lojtaret

Zgjerohet edhe më tepër skandali i basteve në kampionatin Italian. Gjithçka pas intervistës-bombë të Hristijan Ilievskit, i arratisuri që njihet si koka e bandës së “siganëve”. Gazeta italiane “La Repubblica” ka arritur ta kontaktojë në Maqedoni, ku ai fshihet dhe deklaratat kanë qenë mjaft të forta. Ilievski ka hedhur dritë rreth shumë dyshimeve, ndërsa deklaratat e tij të detajuara mund ti sherbëjnë si material Prokurorive të Kremonës dhe Barit, ndërsa bomba lidhet me fjalët “nuk i organizonim ne bastet, por vetë lojtarët. Ne thjesht blinim informacionet”. Ilievski ka shtuar se për momentin do të qëndrojë I fshehur në Maqedoni, edhe sepse e ka të qartë që në Itali e presin disa vite burg. Përsa I takon skandalit të basteve, ai shkoi më tej, duke nënvijëzuar se janë edhe vetë drejtuesit e klubeve ata që bien dakord për trukimin e rezultateve. Ndërsa rreth sistemit të basteve, ai pohoi se trukimet monitoroheshin edhe nga organizatat e tjera kriminale. “Lojtarët paracaktojnë një rezultat, vendosin baste, e gjithashtu shesin informacionin. Kur na i shesin neve, ose kur marrim informata, atëherë hedhim baste të mëdha. Nëse nuk ua blinim ne, informacionin ata ia shisnin mafies italiane, asaj shqiptare, hungarezëve ose Bepe Sinjorit, që është një prej kokave të skandalit të basteve në Itali”, tha Ilievski. Më tej, kreu i bandës së “ciganëve” tha se: “Shpesh janë vetë drejtuesit që bien dakord për rezultatin. Vitin e kaluar erdha personalisht në Itali dhe gjithçka ishte thuajse e përcaktuar: cila skuadër do të fitonte titullin, kush do të luante në Europë dhe ato që do të binin nga kategoria. Kampionati ishte një maskaradë. Ne kishim gjashtë skuadra të besuara: Sampdorian, Kaljarin, Barin, Leçen, Sienën dhe Kievon dhe kemi fituar një mal me parà”. Ilievski bëri të ditur gjithashtu se ndeshja Lacio-Xhenoa, e luajtur më 14 maj 2011 dhe që u fitua 4-2 nga lacialët u trukua nga Skuli dhe miqtë e tij te Xhenoa, ndërsa Mauri nuk ka lidhje me skandalin. Madje, ai theksoi se Mauri është akuzuar nga Xhervazoni, pasi ky i fundit i bëri shantazh, duke u përpjekur ti zhvasë 1 milionë euro. Në fund, kreu i bandës së ciganëve tha: “Lojtarët që trukojnë ndeshje janë rreth 30. 90 për qind e tyre luajnë në Serinë B, ndërsa të tjerët në Serinë A, por unë nuk i tregoj emrat, pasi nuk jam spiun”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›