E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merrej zhgenjen ne Indian Uells

Starti i vrullshëm i sezonit të Endi Mërrej ka marrë një goditje të papritur, pasi britaniku u mposht me rezultatin 6-4, 6-2 nga spanjolli Guilermo Garsia-Lopez në turin e dytë të turneut ATP në Indian Uells. Mërrej ishte paraqitur me mjaft pretendime në aktivitetin kalifornian, pasi në sfidat e para të vitit 2012 kishte regjistruar 14 fitore dhe vetëm 2 humbje. Megjithatë, ai u kthye me këmbë në tokë dhe i jep lamtumirën turneut. Garsia-Lopez, i cili kishte dalë i humbur nga dy përballjet e mëparshme me Mërrejin, e mposhti skocezin në një sfidë që pavarësisht se u mbyll me dy sete, zgjati një orë e 40 minuta. Spanjolli 28-vjeçar, i cili është i 92-ti në klasifikimin botëror e mbylli duelin me një shërbim të fort, që e detyroi rivalin të bënte edhe gabimin final dhe festoi me duart e ngritura në qiell. Në këtë mënyrë, Mërrej eliminohet për të dytin vit radhazi që prej ndeshjes së parë në “Indian Uells”, pasi 12 muaj më parë ai ishte mposhtur në dy sete nga amerikani modest Donald Jang. Gjithsesi, në fund tenisti britanik tentoi të mos e dramatizonte situatën, duke deklaruar se “në një vit me kalendar kaq të ngjeshur, është e pranueshme që herë pas here të bësh paraqitje të dobta në ndonjë turne”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›