Besart Berisha, parashikohet rikthimi në mars

Më në fund vijnë lajme të mira edhe për Besart Berishën, mesfushorin e krahut të kombëtares shqiptare që ka muaj të tërë që vuan një dëmtim të pësuar në ndeshjen miqësore të kombëtares përballë Maltës. Megjithëse më parë ishte menduar që ai nuk do të mund ti rikthehet fushës së blertë para sezonit të ardhshëm, por duket se rikuperimi i tij ka përparuar më shpejt se që ishte menduar fillimisht dhe se futbollisti shqiptar do të mund të luajë që prej marsit.
Trajneri i skuadrës së Burnley, Owen Coyle, ka njoftuar se stafi mjekësor i skuadrës parasheh që Berisha të mund të rikthehet të luajë para përfundimit të sezonit aktual. Shqiptari ka mëse tre muaj që ka filluar rikuperimin dhe do ti duhen edhe tre muaj të tjerë për të qenë i gatshëm. "Nëse gjithcka shkon si duhet Besartin do ta shohim me fanellën e Burnleyt para përfundimit të këtij sezoni", ka thënë Coyle. Skuadra e Burnleyt përvec Berishës ka gjithashtu të dëmtuar edhe një ndër futbollistët kryesorë, Michael Duff, dhe kjo ka ndikuar jo pak edhe në rezultatet e skuadrës në këtë sezon. "Është një fatkeqësi e madhe për ne edhe për vetë dy lojtarët. Duff është një lojtar me përvojë i skuadrës ndërsa jam i sigurt se gjithkush mezi po i priste paraqitjet e Berishës", ka shtuar trajneri Coyle.