Tension në Kavajë, tifozët hedhin sende të forta
Edhe pse është luajtur një ndeshje shumë luftarake dhe me emocion mes dy prej rivaleve më të forta të këtij sezoni në luftën për titullin kampion, Besës dhe Dinamos, në Kavajë nuk ka munguar tensioni dhe hedhja e sendeve të forta në fushë. Vendimet e gjyqtarit Sokol Jareci nuk janë përtypur nga tifozeria vendase. Në tre raste të dyshimta për 11-metërsh, gjyqtari jep vetëm një, atë të minutës së 43-të, ku Mancaku nuk shënon dot, pasi gjuajtja e tij pritet nga portieri Hoxha. Në minutën e 74-t, tifozët e Besës hedhin sende nga tribuna drejt stolit dinamovit. Jareci konsultohet me gjyqtarin e katërt: me rregulloren e re edhe mund ta ndërpriste ndeshjen, por lejon vazhdimin e saj. Në sekondat e fundit të lojës, tifozët vazhdojnë hedhjen e sendeve ndaj stolit dinamovit, madje një prej objekteve ka goditur në shpinë trajnerin Shkëlqim Muça. Mohimi i një tjetër penalltie në minutën e 92-të, kur Pisha ndal me duar Lecin, ka shtuar irritimin e tifozerisë kavajase, e cila hedh në pistën e stadiumit edhe disa stola nga tribuna kryesore.
A. Manallari
A. Manallari