Elbasani, pa kompromis me Kastriotin
Ndeshja me më shumë gola e javës së parafundit të Kategorisë Superiore ka qenë ajo Elbasanit dhe Kastriotit, e përfunduar me rezultatin 5-2 në favor të ekipit vendas. Elbasanasit kanë kërkuar golin që në minutat e para, por kanë kaluar në avantazh vetëm në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë falë autogolit të Gallos. Por në pjesën e dytë, verdheblutë kanë qenë të pandalshëm duke shënuar tri gola radhazi me Nenajn, E. Dalipin dhe Arben Nuhiun. Më pas Rizvanolli ka shkurtuar diferencën në minutën e 85-të, por vetëm 3 minuta më vonë ka qenë Bejzade që ka çuar në 5 numrin e golave për vendasit. Një gol i Shametit në minutën e 92-të ka vulosur rezultatin përfundimtar 5-2, që nuk ka ndryshuar shumë pozitat e skuadrave në renditje. Pas përfundimit të takimit, drejtuesit elbasanas kanë qenë të irrituar me rezultatin e takimit mes Tiranës dhe Teutës, ku durrsakët kanë siguruar mbijetesën dhe nuk kanë arsye pse të luajnë seriozisht kundër Besës në javën e fundit.