Idrizi përforcon Hysin

Lajmin e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i Hysit, Afrim Macula, i cili theksoi se ka mbetur që vetëm edhe kontrata të nënshkruhet me Idrizin.
“Jemi afër finalizimit të marrëveshjes me Mirsad Idrizin. Në fakt, paraprakisht kemi arritur marrëveshje me të, por ka mbetur që vetëm të nënshkruajmë kontratë”, tha Macula për Express.
Sipas tij, Idrizi nuk do të jetë përforcimi i fundit i Hysit për sezonin pranveror. Ai tha se skuadra e tij do të përforcohet edhe me ndonjë futbollist tjetër, por një gjë të tillë do ta bëjë me gjasë pas festave të fundvitit.
Më herët Hysi është përforcuar edhe me Florim Bërbatovcin, Leutrim Krasniqin, Leart Eminin dhe Agron Ramadanin.
Llapjanët stinorin vjeshtor e kanë përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e pestë të renditjes tabelore me 27 pikë, shtatë më pak sesa lideri Prishtina, skuadra këto që bashkë me Dritën, Trepçën ’89 e Vëllaznimin e synojnë titullin e kampionit.