E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimi dhe feja garantohen nga shteti ligjor



Dita e sotme dhe veprimtaritë e lidhura me të, përveç kujtimit dhe nderimit që i bëjnë jetës dhe veprës së Profetit Muhamed A.S., janë njëkohësisht mënyra më e shkëlqyer, që nën shembullin e tij, të përcjellim së bashku mesazhin universal të bashkëjetesës paqësore e mirëkuptimit, të tolerancës e harmonisë fetare e shoqërore dhe besimin tek Zoti. Këto virtyte të mëdha, janë ngulitur tashmë thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar. Toleranca dhe harmonia fetare e shqiptarëve është ruajtur e trashëguar ndër breza dhe përbën sot burim krenarie kombëtare si edhe një vlerë e kontribut që shqiptarët sot, kur Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës politiko-ushtarake më të suksesshme të kohërave, ndajnë me familjen e kombeve më të lirë e më të zhvilluar të planetit. Ne festojmë sot së bashku si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke pasur sigurinë dhe garancinë se tashmë Shqipëria ka bërë realitet ëndrrën më të vjetër dhe të bukur të shqiptarëve, dhe besimin se tashmë e ardhmja e saj, e fëmijëve dhe nipërve tanë do të jetë e sigurt në rrugën e progresit dhe begatisë. Por gjithashtu i sigurt është fakti që Shqipëria, dikur vendi i kulakëve, hiper-kolektivizmit total, ku të drejtat dhe liritë e njeriut ishin të ndaluara me ligj, është sot vendi ku këto liri e të drejta themelore të njeriut, besimi dhe respekti për fenë dhe kultet garantohet nga shteti ligjor dhe respektohet nga të gjithë institucionet e tij. Zhvillimi i kësaj veprimtarie, tashmë si vend i NATO-s dhe në proces integrimi për në BE, kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, kur faktori shqiptar në Ballkan, Evropë e më gjerë, është formësuar e konsoliduar si kurrë njëherë në historinë shumëshekullore të këtij kombi të lashtë, më jep rastin të theksoj edhe një herë krenarinë e çdo shqiptari për ruajtjen e këtyre vlerave të çmuara të popullit tonë të harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës shembullore fetare, pranimit dhe zhvillimit të diversitetit kulturor, fetar e më gjerë, besimit te Zoti në ruajtje të shëndetit moral dhe të vlerave shpirtërore të shoqërisë. Janë pikërisht edhe këto vlera të çmuara, që i bëjnë shqiptarët pjesëtarë të denjë të komunitetit euroatlantik, është besimi i patundur në këto vlera shtysa më e fuqishme për Qeverinë shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar për të realizuar reformat e jashtëzakonshme e të suksesshme, për të merituar hyrjen në Aleancën e Lirisë.

Ndonëse sot nuk jam i pranishëm në sallën ku ju festoni, fizikisht dhe shpirtërisht unë ndihem aty me ju, duke ndarë së bashku me ju gëzimin dhe solemnitetit e kësaj dite festive për besimtarët myslimanë por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Dëshiroj me këtë rast të vlerësoj në mënyrë të veçantë kontributin e besimtarëve myslimanë e komunitetit mysliman, që si komuniteti më i madh fetar në vend, ka dhënë dhe vazhdon të jap shembullin më të shkëlqyer të tolerancës, dashurisë dhe harmonisë fetare, së bashku me komunitetet e tjera fetare dhe jo fetare. Të mos harrojmë se besimet fetare kanë në themel besimin në një Zot, i cili mbi të gjitha na mëson të duam, të respektojmë dhe të ndihmojmë vëllanë dhe motrën tonë më të vobektë, më të pamundur dhe në nevojë, të ndajmë me ta dashurinë, respektin e drejtësinë. Ky ishte mesazhi i të gjithë profetëve të mëdhenj. Profeti Muhamed ka thënë “Askush prej jush nuk ka arritur besimin e vërtetë derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete”. Ne shqiptarët kemi një pasuri të madhe, pluralizmin fetar dhe bashkekzistencën në paqe e harmoni tradicionale midis njerëzve të besimeve të ndryshme. Detyra jonë e përbashkët është ta konsolidojmë edhe më tej këtë traditë të shkëlqyer, sikundër është detyra jonë t’u krijojmë besimtarëve dhe komuniteteve fetare kushtet për të ushtruar me dinjitet misionin e tyre social të edukimit me fjalën e shenjtë dhe besimin në Zot. Në këtë kontekst, qeveria që unë kryesoj ka miratuar, për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, projekt-Ligjin për Financimin e Bashkësive Fetare tradicionale, si shprehje e përkujdesjes dhe përkrahjes që ajo dëshiron t’i japë zhvillimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe mbarëvajtjes e përparimit të mëtejshëm të misionit dhe veprimtarisë së bashkësive fetare në shërbim të komunitetit.

Përshëndetja e Kryeministrit, z. Sali Berisha, me rastin e organizimit të festimeve për ditëlindjen e Profetit Muhamed (A.S.), mëshirë për gjithë njerëzimin

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›