E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç viziton Kosovën, po Thaçi e Sejdiu kur do ta vizitojnë Preshevën?



Kur është temë aktuale vizita e Tadiçit në Kosovë, të gjitha mediat shkruajnë dhe komentojnë për këtë vizitë, por mirë do ishte që të mos harrohet gjendja aktuale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilën asnjë nga qeveritarët tanë, nuk e ka vizituar. Ndërsa po ky Tadiçi, po ndërton edhe kazerma të mëdha ushtarake në këtë rajon, duke burgosur djemtë e lirisë dhe duke frikësuar banorët autokton të kësaj zone dhe duke dhënë deklarata të çuditshme për Kosovën dhe po ky sot e viziton Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka thënë të premten në Manastirin e Deçanit se ka vetëm një porosi në këtë, siç e ka quajtur ai, ditë hidhërimi dhe shprese njëkohësisht për botën e krishterë. "Kam vetëm porosi paqeje; paqe për serbët, shqiptarët, për të gjithë jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë", - ka thënë Presidenti i Serbisë me të përfunduar ceremonia në Manastir, me rastin e kremtes se Pashkëve ortodokse. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një komunikatë për opinion, ka thënë se ka lejuar hyrjen e zotit Tadiç, "nisur nga fakti se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare". Sido që të jetë, bashkatdhetarë të shumtë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pyesin, pse atëherë në festat fetare, nuk shkojnë qeveritarët tanë në mesin e preshevarëve, të Bujanocit apo Medvegjës. Është po ky Tadiçi, që në mes të Kosovës së lirë, i jep elan serbëve, i jep mesazhe serbëve, se Kosova qenka e Serbisë dhe jep deklarata të çuditshme, kur dihet se çka ka bërë Serbia mbi popullin tonë. "Duke konsideruar faktin se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare, kam vendosur që të lejoj hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës të Presidentit të Serbisë, z. Boris Tadiç", - thuhet në letrën e Kryeministrit Thaçi.

Po, a vlen edhe ky ushtrim i lirive fetare edhe për Serbinë, që të vizitohet Presheva nga qeveria e Kosovës? Shumë bashkatdhetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pyesin, kur do ta vizitojë kryeministri apo presidenti i Kosovës Preshevën? Por, edhe kur bëhen pyetje për këto zona, nuk japin përgjigje të qarta. Sido që të jetë, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, i ka sytë nga Kosova nga SHBA e BE, i ka sytë nga liria, demokracia dhe integrimi e bashkimi. Këtë ditë, kur shumë familje ende nuk i kanë gjetur bijtë e tyre që janë marrë nga paramilitarë serbë, kur shumë gjak është derdhur për Kosovën, kur shumë nëna kanë mbetur pa bijtë e tyre, e shumë invalidë të luftës kanë dhënë gjymtyrët e trupit për lirinë e Kosovës, ndodhin edhe këto lajme të hidhëta. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, presin, që një

ditë do ju bie ndërmend qeverisë së Kosovës, se edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, është mirë të vizitohen, të nderohet kjo pjesë e atdheut, të frymëzohet ky popull që është i rrethuar nga xhandarë serbë, kazerma ushtarake, e paramilitarë, që edhe pranvera nuk ka çelë si duhet nga e gjithë arsenali i rëndë i ushtrisë e as bilbili nuk këndon lirshëm. Mundemi të komentojmë sa të duam, por Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, i mirëpret me zemër ndonjë qeveritarë apo liderë të Kosovës, nëse do ta vizitojë këtë pjesë të atdheut...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›