E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i Punës, përmirësim i kuadrit ligjor



Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, pohon se po ndërhyhet kryesisht për mbrojtjen dhe sigurinë në punë

Kodi i Punës është miratuar në Parlamentin e Shqipërisë rreth 13 vite më parë. Ai hyn në aktet ligjore më të rëndësishme të një vendi. Megjithatë, përmbajtja e tij nuk i përgjigjet aktualitetit. Grupet e interesit kanë kërkesa të reja, Shqipëria është në procesin e integrimit evropian, andaj duhet të përafrojë dhe legjislacionin në këtë aspekt.

Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, është marrë me kodin që në variantin e parë të vitit 1996. Ai tashmë drejton grupin e punës që po merret me përmirësimet dhe amendimet e kodit. Ai thotë për “DW” se në këtë grup ekspertësh marrin pjesë shumë aktorë të interesuar. "Në radhë të parë nga punëmarrësit dhe punëdhënësit, por dhe nga sistemi gjyqësor, akademikë të kësaj fushe dhe përfaqësues nga institucionet që kanë lidhje me zbatimin e legjislacionit". Gjithashtu, grupi i punës do të asistohet dhe nga ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO. Kjo është një përvojë bashkëpunimi e hershme me këtë organizatë ku çdo element ligjor në çështjet e marrëdhënieve të punës konsultohet qysh në fazën e propozimit, të konceptimit dhe hartimit me strukturat e ILO-s. "Është një kërkesë e jona që Kodi i Punës të asistohet nga ky organizëm, edhe për faktin e ballafaqimit e ratifikimit me përvojat e vendeve të tjera. Është përafrim me kërkesat që ka Karta Sociale Evropiane dhe nevoja për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë. Është pjesë e detyrimeve që ka vendi ynë në këtë proces. Përveç ILO-s kemi asistencë dhe nga projekte të ndryshme të BE-së që merren me këto probleme. Veçanërisht me mbështetjen e BE-së jemi duke punuar për legjislacionin që ka shumë lidhje me Kodin e Punës, që është për mbrojtjen dhe sigurinë në punë, apo Inspektoratin e Punës", - thotë për “DW”-në Sulka. Ndërhyrje "Ka pasur propozime nga punëdhënësit, pasi legjislacioni nuk u jep atë fleksibilitetin e nevojshëm në rregullimin e marrëdhënieve të punës. Nuk po hyj në detaje këtu, pasi çdo propozim do të diskutohet në grupin tonë dhe nuk është e thënë që çdo mendim i punëdhënësit të pëlqehet e miratohet nga punëmarrësi dhe organizimet sindikale. Edhe vetë punëmarrësit kanë propozimet e tyre. E rëndësishme është dhe fakti i propozimeve që kanë ardhur nga shoqëria civile, nga organizatat jofitimprurëse. Kjo është risi. P.sh. ato që merren me çështje të barazisë gjinore", - thotë zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta. Kodi i Punës është pjesë e legjislacionit që miratohet nga parlamenti me shumicë të cilësuar, ose me 3/5 e votave të përgjithshme. Kjo, sipas ekspertëve, dikton dhe një proces përgatitor të shtrirë në kohë dhe që për çdo pjesë të ketë një konsensus sa më të gjerë në ndryshimet që do të ofrohen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›