Rilindja e Porto-Romanos
Porto-Romano, ndodhet 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në shekullin IV para Krishtit, ky port konsiderohej si një alternativë e nevojshme për ankorimin e anijeve velierë, të cilat lundronin në periudha të ndryshme të vitit dhe duhet të shfrytëzonin drejtimet e ndryshme të erërave në detin Adriatik. Rrënojat e portit të vjetër, sot fatkeqësisht janë zhdukur nga ndryshimet e vijës bregdetare dhe ndoshta si rrjedhojë e tërmeteve të mëdha që kanë prekur qytetin e Durrësit ndër shekuj. Në ditët e sotme, një projekt tepër ambicioz i një Kompanie private shqiptare e cila pati gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë, bëri të mundur që në një distancë shekullore, Porto-Romano të rilindë me një profil të ri, si porti kryesor i vendit tonë në përpunimin e hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm. Marrëveshja koncesionare, e nënshkruar ndërmjet Shoqërisë “Romano Port” sh.a. dhe qeverisë shqiptare, me një kohëzgjatje 30-vjeçare e formës “BOT”, që në terma të tjerë do të thotë se, nëse pas mbarimit të periudhës së koncesionit kompania nuk pranon të ripërtërijë marrëveshjen, atëherë investimi i bërë prej saj, transferohet në pronësi të shtetit shqiptar. Investimi që kalon vlerën e 20 milionë euro, konsiston në ngritjen e depozitave të naftës dhe të gazit si dhe në një infrastrukturë portuale që u realizua brenda një periudhe kohore prej katër vitesh. Strukturat portuale dhe pontili i ndërtuar në zbatim të këtij projekti, janë realizuar në përputhje me të gjithë legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për fushën e detarisë dhe janë të pajisur me Planin e Sigurisë dhe të Emergjencave Portuale, për t’i paraprirë situatave të jashtëzakonshme që mund të paraqiten gjatë zhvillimit të veprimtarisë në këtë port. Përfundimi i ndërtimit të pontilit dhe depozitave të gazit të lëngshëm dhe karburanteve, vlerësohet si një investim tepër i rëndësishëm, që padyshim do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së hidrokarbureve dhe stabilizimit të tregut, si dhe do të garantojë në të ardhmen sigurimin e rezervave strategjike të karburanteve në Shqipëri. Ndërtimi i depozitave në të cilat mund të ruhen sasi të mëdha të karburanteve ndikon gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të transportit detar, si rezultat i përpunimit të hidrokarbureve me një teknologji moderne, në mënyrë të automatizuar dhe në një kohë të shpejtë, duke reduktuar ndjeshëm vonesat e gjata në trajtimin e anijeve cisternë. Me fillimin e aktivitetit në Porto-Romano, qeveria shqiptare do të mundësojë gjithashtu që brenda datës 30 qershor 2009, të hyjë në fuqi për zbatimin, Vendimi i saj nr. 486, i datës 25 korrik 2007, për “Ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve, që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukteve të tyre, në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit”, me qëllim transferimin dhe zhvillimin e këtij aktiviteti në portet e posaçme të ngritura për këtë qëllim, larg zonave të banuara në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare mbi sigurinë dhe normat mjedisore.