E Diel, 1 Nëntor 2026

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

Porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, sepse përveç të tjerash është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria dhe madhështia e Muhamedit (s.a.s). Haxhi është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit fuqiplotë, duke reflektuar gatishmërinë për të sakrifikuar interesat shoqërore e materiale në shërbim të Allahut dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve.

Kreu i komunitetit mysliman shqiptar Haxhi Selim Muça ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë për më shumë begati dhe harmoni. Ai ndër të tjera shtoi se Kurban Bajrami është një ditë shpresëdhënëse që përcjell përkushtimin e besimtarëve ndaj zotit. Muça ka thënë se këtë festë e karakterizon vendosmëria e besimtarëve për kryerjen e obligimeve të Haxhit, ku miliona besimtarë lartësojnë emrin e Allahut fuqiplotë dhe luten për paqe.

Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, triumfin e së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Komuniteti Mysliman ka ftuar qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi që të tregohen humanë dhe solidarë.

Kjo festë nxit besimtarët për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri, në gjendje të rënde ekonomike, si dhe në forcimin e raporteve miqësore e familjare. Gjithashtu me këtë tek besimtarët duhet të reflektojë ndjenja e humanizmit, solidaritetit, bamirësisë e mbi të gjitha devotshmërisë. /L.F/Start/

                                                                                             2011-11-06 10:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›