Besnik Hasi: Haan më i mirë se Bariç e Briegel

Për Besnik Hasin zgjedhja e trajnerit të ri të kombëtares është një "goditje në shenjë". Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare që aktualisht aktivizohet me belgët e Cercle Brugge i ka thënë të përditshmes prishtinase "Lajm" se holandezi Arie Haan është trajner më i mirë se dy paraardhësit e tij në këtë post. "Për mendimin tim ai është më i mirë se Baric e Briegel. Është një zgjedhje pozitive dhe e përgëzoj presidentin Duka për punën e bërë", ka thënë Hasi për gazetën kosovare. "Si trajner je i varur nga grupi i futbollistëve që janë në dispozicion, por unë pres lojë më atraktive dhe më ofensive pasi në kohët e fundit kombëtarja më shumë ka kërkuar rezultatet sesa ka zhvilluar lojë. Haan kërkon futboll total", ka shtuar ai.