Elvir Muriqi, boksieri shqiptar i vitit

Elvir Muriqi është shpallur boksieri më i mirë shqiptar i vitit nga "AlbanianBoxing.com" faqja e vetme shqiptare në internet kushtuar sportit të dorezave profesioniste. "Kosova Kid" është votuar më së shumti nga adhuruesit shqiptar në boksit dhe me të drejtë pasi viti që po lëmë pas ka qenë vërtet i artë për 28-vjecarin nga Rugova e Pejës. Pavarësisht se ka zhvilluar vetëm një duel gjatë këtij viti, të cilin (zyrtarisht) e ka humbur, Muriqi është ngjitur lart në renditjen botërore të boksierëve të kategorisë gjysmë të rëndë falë paraqitjes së mrekullueshme në duelin me Antonio Tarver, një ndër më të mirët e të gjitha kohërave në ringun profesionist. Boksieri shqiptar ishte ankuar për padrejtësi nga ana e gjyqtarëve në këtë duel, ndërsa këtë mendim kanë pasur edhe shumica e gazetarëve amerikan që e kanë quajtur kontraverse fitoren e amerikanit Tarver. Pavarësisht humbjes Muriqi tani cilësohet si një boksier i klasit botëror dhe viti i ardhshëm me siguri se do t'i japë mundësinë për të luftuar për titullin e kampionit të botës në njërin nga versionet e mëdha të boksit profesionist (WBC, WBA, IBF dhe WBO). Duelin e radhës Muriqi do ta zhvillojë më 31 janar 2008 kundër Dhafir Smith për të ngjitur akoma më shumë shkallët e renditjes botërore (aktualisht i 17-ti në botë).
Përvec boksierit më të mirë "AlbanianBoxing.com" ka zgjedhur edhe kikboksierin më të mirë, cmim të cilin e ka fituar Xhavit Bajrami.