Murati: Bariçi fajtor, nuk e njihte ekipin

Jorgis Memo "Sporti Shqiptar"
Ish mesfushori kuqezi, Edvin Murati, mendon se kombëtares i duhet trajner shqiptar dhe një menaxher i huaj
Një nga ata që ka lënë gjurmë në kombëtare, është pa dyshim ish mesfushori i saj, Edvin Murati, aktualisht pjesë e Panseraikosit në ligën e dytë helene. "Lushja" (nofka e Muratit) është aktivizuar vetëm 25 minuta gjatë eliminatoreve të Euro 2008 ës, pikërisht ndaj Holandës në "Amsterdam Arena". Por pas grumbullimit në dy përballjet me Luksemburgun, ai nuk u thirr më nga trajneri Oto Baric, i cili dha dorëheqjen nga pankina kuqezi. 32 vjecari, i dalluar më shumë për teknikën e lartë, ka luajtur 62 ndeshje në karrierën e tij me fanellën kuqezi. Ish mesfushori i PSG së, ku dhe u bë i njohur, gjithnjë ka folur pa doreza për problemet e kombëtares, ndërkohë që edhe tani, pasi janë mbyllur eliminatoret, ai mbetet stoik në mendimin e tij: Oto Baric nuk e njihte ekipin, prandaj arritëm rezultate të dobta." Pranon që shokët nuk janë paraqitur mirë, por thekson se faji mbetet i stafit teknik që s'i njihte mirë lojtarët. Nga ana tjetër, Murati i hedh poshtë akuzat e tifozëve për shitje të dy ndeshjeve të fundit, gjithashtu edhe fjalët që në kombëtare ka klane. Murati jep përgjigje mjaft koncize në intervistën dhënë enkas për "Sportin shqiptar".
Edvin, si e gjykoni paraqitjen e kombëtares në eliminatoret e Euro 2008 s?
Me keqardhje mund të them se ishte një paraqitje e dobët, por nuk duhet të mohojmë që lojtarët kanë zhvilluar edhe ndeshje shumë të mira. Megjithatë, unë i mbetem mendimit që faji nuk ka qenë i lojtarëve për këto rezultate kaq negative, por gjithmonë i stafit teknik, me në krye Baricin. Edhe një herë e përsëris, se trajnerët kanë qenë ata që nuk kanë ditur të njohin lojtarët. Por mendoj se edhe pas këtij edicioni, ata nuk e njohën ende ekipin.
Kombëtarja eshte akuzuar për shitje të dy ndeshjeve të fundit eliminatore. C'mendoni për këtë?
Mendoj se këto janë llafe kafenesh, të cilat përhapen dhe krijojnë bindjen sikur kombëtarja ka shitur ndeshje. Kam qenë pjesë e saj dhe e njoh mirë ambientin. Nuk është aspak e vërtetë, pasi kombëtarja nuk shet ndeshje. Për këtë duhet të jenë të bindur tifozët kuqezinj.
Përflitet që në kombëtare ka klane, të cilat luftojnë njeri tjetrin. A mund të jetë e vërtetë kjo, dhe nëse po, a ndikon në klimën e ekipit?
Në ekip nuk ka klane, kaq mund të them.
Trajneri Oto Baric ka dhënë dorëheqjen. Fiton apo humb Shqipëria nga kjo?
Barici bëri mirë që iku, sepse e coji kombëtaren mbrapa, si në vitet 60 të. Ai është fajtori kryesor i këtyre rezultateve të dobta që ka arritur ekipi në eliminatoret e fundit. Barici nuk i njihte lojtarët e Shqipërisë.
Sipas jush, trajneri i ri, duhet të jetë i huaj, apo shqiptar?
Për mua kombëtarja duhet të ketë një trajner shqiptar. Eksperienca me të huajt nuk solli ndonjë gjë pozitive. U arritën të njëjtat rezultate. Ndërkohë, nëse do më merrej mendimi mua do të thoja që përvec trajnerit, që pa dyshim duhet të jetë vendës, sepse e njeh më mirë ambienti, duhet të jetë edh një menaxher i huaj. Ky i fundit duhet medoemos, pasi në Europë aktivizohen shumë lojtarë shqiptarë, ku disa prej tyre tani i shohim me kombëtaret e tjera. Një menaxher të huaj që të vëzhgojë talentet është mëse e nevojshme, nëse duam të ecim përpara.
Si e mendoni të ardhmen e kombëtares, duke iu referuar eliminatoreve të botërorit 2010?
Në radhë të parë mendoj se shorti i botërorit është i mirë për ne, sepse më ato skuadra që na kanë rënë, I kemi mundësitë për të kapur një vend të mirë në renditje. Ndërsa për sa i përket të ardhmes, dua të them se kombëtarja do punë dhe jo llafe, sic është bërë kohët e fundit.