Haan, trajneri që nuk duron presidentët

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me siguri duhet ta dijë arsyen se përse trajneri i ri i Shqipërisë u largua nga drejtimi i Kamerunit përpara se bosi i FSHF-së të vendoste për të punësuar holandezin Ari Haan dhe jo austriakun Hans Krankël. Ari Haan dha dorëheqjen nga drejtimi i "luanëve" afrikanë për një arsye shumë të thjeshtë kur kishte mbushur vetëm gjashtë muaj në drejtimin e Samuel Eto'së me shokë.
"Unë nuk mund të ndërtoj një ekip të mirë për Kamerunin për shkak të ndërhyrjes në punën time", - tha Haan për prestigjiozen britanike "BBC" në shkurt të vitit 2007, duke fajësuar presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit, Mohamed Iya.
"Gjithkush në federatë ndërhyn dhe në mënyrë të vecantë presidenti, kështu që nuk është më e nevojshme që unë të qëndroj". Haan tregon edhe shkakun e largimit. Federata kamerunase organizoi një ndeshje miqësore me Togon (një vend tjetër afrikan), por pa dijeninë e holandezit.
"Ata nuk respektuan dëshirën time për miqësoren kundër Togos dhe i nisën përgatitjet pa marrë më parë aprovimin tim. Jam unë ai që duhet të organizoj ndeshjet për ekipin kombëtar dhe jo federata", - sqaron Haan për "BBC"-në. Për ta përkeqësuar edhe më shumë humorin e Arit, federata kamerunase e përjashtoi atë nga një delegacion zyrtar për Kampionatin Afrikan të të Rinjve që u zhvillua në Kongo.
"Unë dëshiroja të monitoroja disa lojtarë të rinj për ekipin kombëtar, por ata refuzuan. Kjo tregon se federata ka një vizion ndryshe nga ai që kam unë për futbollin kamerunas. Unë do të kthehem pas nëse gjërat do të ndryshojnë", - përfundoi Haan, por ai nuk u kthye më kurrë aty. Tashmë ai do të drejtojë nga 1 janari i vitit 2008 Shqipërinë.