E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besniku i Malmos

Agon Mehmeti nuk e ka ndërmend të largohet nga Malmo. Edhe pse ka oferta nga disa klube të tjera, 21-vjeçari ka vendosur t’i mbetet besnik kampionit suedez, për shkak të pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Nga Express më 25 dhjetor 2010 në ora 12:54

Malmo nuk ka nevojë të brengoset shumë për Agon Mehmetin. Në fakt, sulmuesi kosovar e ka ndërmend t’i mbetet besnik kampionit të ri të Suedisë.

Përkundër ofertave të cilat nuk mungojnë, 21-vjeçari duket i përqendruar të mbetet te klubi suedez.

Motiv shtesë për ta marrë këtë vendim, futbollistit prishtinas i ka dhënë mundësia e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve nga sezoni i ardhshëm.

“Më duhet t’i shikoj gjërat. Por, duket fantastike dhe motivuese pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve. Ky fakt e bën plotësisht të qartë dhe më të vështirë mundësinë e largimit, edhe pse kisha oferta. Por, është e qartë se klubi im ka të drejtë të vendosë nëse merr ndonjë ofertë që është vështirë të refuzohet”, tha Mehmeti për uebfaqen FotbollDirekt.se.

“Mediat shkruajnë se, kinse unë kam vendosur të largohem, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam filluar ende të negocioj me Malmon dhe nuk ka arritur asnjë ofertë për mua”, shtoi ai.

Kontrata e përfaqësuesit U21 të Suedisë me Malmon përfundon gjatë verës së vitit të ardhshëm. Mirëpo, ai e ka ndërmend të ulet shumë shpejt në tavolinë me udhëheqësit e klubit, për t’i sqaruar shumë gjëra.

“E di se ka klube të interesuara, por unë jam i koncentruar dhe kurioz ta dëgjoj atë që ofron Malmo. Pas pushimeve, në fillim të janarit dëshiroj t’i filloj negociatat me klubin. Sigurisht, mund të mbetem këtu. Më inspiron fakti se mund të tentojmë të arrijmë suksese siç ka bërë Copenhagen në Ligën e Kampionëve”, vazhdoi ai.

Mehmeti beson se edhe tre lojtarët të tjerë të rëndësishëm të Malmos, Daniel Larsson, Guillermo Molins e Hamad Jiloan, do të mbeten në këtë ekip, për të qenë më të fortë në sfidat që e presin kampionin aktual të Suedisë sezonin që vjen.

Përpos Mehmetit, në Malmo luan edhe sulmuesi tjetër kosovar, Dardan Rexhepi, që gjithashtu është i vendosur të mbetet në këtë klub.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›