Ibrahimovic Nese e takoj Guardiolen do ta hedh KO
Zlatan Ibrahimoviç ka lëshuar një paralajmërim indirekt për trajnerin Pep Guardiola, përpara se të nënshkruante me Milanin. Një batutë e thënë mes shakasë dhe seriozitetit, që konfirmon edhe një herë faktin se miqësia mes tyre nuk lindi asnjëherë. “Thojini Guardiolës se po e takova do ta hedh në ‘knock-out’”. Ishin këto fjalët, që sipas radios “Ona FM”, sulmuesi suedez u ka thënë drejtuesve të Barçës për t’ia transmetuar teknikut. Prapaskena është pasqyruar gjerësisht edhe nga gazeta katalane “El Mundo Deportivo”. Sipas rindërtimit të ngjarjeve të verës, kur kishte mbetur vetëm firmosja e kontratës me gjigantët e Serisë A, befasisht Ibrahimoviç kishte ndërprerë negociatat. “Nuk firmos”, duket se i ka thënë 29-vjeçari drejtuesve të klubit “blaugrana”, të cilët shtangën për një moment. “Do të firmos vetëm nëse do t’i jepni një mesazh Guardiolës, shtoi menjëherë Ibra. Këtu në Katalonjë nuk mund të ndodhë, pasi nuk mund ta bëj, por duhet t’i thoni se po e takova në ndonjë vend tjetër të Europës do ta hedh ‘KO’”. Megjithatë, e përditshmja “El Mundo” ka nxituar të specifikojë se “sipas të gjitha gjasave fjalët e lojtarit ishin në kuptimin figurativ, gjithçka lidhet me anën sportive dhe mesazhi nuk duhet marrë fjalë për fjalë. Gjithsesi, kjo konfirmon se mes tyre nuk lindi asnjëherë miqësia”.