E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azizi hidhërohet me Federatën

Aziz Salihu është hidhëruar sërish nga drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës. Legjenda e boksit kosovar ndihet i dëshpëruar pasi nuk është ftuar fare në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit nga kjo federatë. Drejtuesit e boksit kosovar nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje. Nga Valon Konushevci më 25 dhjetor 2010 në ora 12:58

Edhe pse u bashkuan para pakë kohësh, Aziz Salihu dhe drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), sërish nuk janë duke e çuar mirë në mes vete.

Legjendës së boksit kosovar, i cili është kryetar i klubit të boksit Prishtina, i ka mbetur hatri që drejtuesit e boksit kosovar, të mërkurën nuk ishte ftuar në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit 2010.

“Jam befasuar kur kam dëgjuar që Federata e ka shpallur sportistin e vitit, ndërsa nuk më kanë ftuar edhe mua si mysafir në këtë manifestim, për ta uruar sportistin e vitit. Jam shumë i zhgënjyer dhe i demoralizuar”, deklaroi Salihu të premten në një konferencë për media që e mbajti në Prishtinë.

“Edhe në turneun ‘Adem Jashari’ isha i anashkaluar. Në atë turne as një përshëndetje nuk e mora, edhe pse jam zgjedhur sportisti i shekullit. Ata njerëz të Federatës kanë xhelozi ndaj meje, edhe pse unë i dua ata, sepse 20 vjet kam ngrënë dhe kam pirë me ta”, shtoi Salihu.

Njëkohësisht, Salihu shprehu zhgënjimin e tij që udhëheqësit e boksit kosovar nuk po e lejojnë të hyjë në FboxK, për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së këtij sporti.

“Në Federatë kanë hyrë njerëz që s’kanë lidhje me sport, kurse sportistët kanë mbetur rrugëve. E lus kryetarin e FboxK-së të mos bashkëpunojë me këta kolegë të tij, sepse ai akoma nuk e ka kuptuar se ata janë mashtrues dhe gënjeshtarë”, theksoi Salihu.

Në anën tjetër, drejtuesit e FboxK-së nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje. “Nuk kam koment, sepse nuk po e kuptoj Azizin”, tha shkurt për Express, kryetari i FboxK-së, Ramadan Selimi.

Salihu kritikon KOK-un

Aziz Salihu nuk ka lënë pa kritikuar edhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ku është nënkryetar i këtij asociacioni. Ai tregoi se shumë kolegë të tij në KOK nuk e kryejnë me përgjegjësi mandatin e tyre në këtë institucion.

“Besim Hasani është një punëtor i mirë, por ai nuk mund të bëjë më tepër, sepse nuk ka para në dispozicion. Hasani shpeshherë na fton Kryesinë nëpër mbledhje, por në to nuk vijnë më shumë se gjysma e anëtarëve. Unë i kam propozuar Hasanit që t’i largojë të gjithë ata që nuk vijnë në mbledhjet e Kryesisë, sepse kështu nuk shkon”, ka thënë Salihu.

Ndërkohë, ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i qaset me seriozitet sportit vendor, sepse, sipas Salihut, sporti mund të bëhet ambasadori më i mirë i vendit nëpër botë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›