E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besojnë në Luanin

Njohësit e boksit kosovar mendojnë se Luan Krasniqi duhet ta vazhdojë karrierën, me gjithë faktin se meçi me amerikanin Johnathon Banks u shty për një datë tjetër. Edhe pse nuk ka boksuar që nga viti 2009, një pjesë e tyre thonë se me pak fat junikasi mund të shpallet kampion bote. Nga Moral Pozhegu më 25 shkurt 2011 në ora 12:56

Luan Krasniqi ka ende për t’i dhënë boksit. Edhe pse ka më shumë se dy vjet që nuk i ka kryqëzuar dorëzat dhe i është anuluar edhe meçi i 26 shkurtit me amerikanin Johnathon Banks, njohësit e boksit kosovar mendojnë se junikasi duhet ta vazhdojë karrierën.

Madje, me pak fat, një pjesë e tyre vlerësojnë se njëri prej boksierëve më të mirë në histori të kombit shqiptar mund ta realizojë ëndrrën e tij jetësore – të shallet kampion i botës për peshat e rënda.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), njëherësh legjendë e boksit kosovar, para një kohe mendonte ndryshe, por sot ai beson plotësisht në aftësitë e 39 vjeçarit.

“Para një muaji e kam pasur një muhabet me Luanin dhe e kam këshilluar ta lë boksin. Por, ai më tha se ndihet mirë dhe se e ka ndërmend të vazhdojë dhe ta realizojë ëndrrën e tij, që të shpallet kampion i botës. Ai më bindi me këto fjalë dhe tash mendoj se është mirë që mos të dorëzohet, edhe pse u shty përkohësisht meçi i tij”, theksoi Bogujevci për Express.

- “Nëse pranojnë vëllezërit Klitschko të përballen me Krasniqin, besoj se ai ka aftësi të triumfojë. Wladimirin e ka mposhtur para një kohe, ndërsa mendoj se edhe ndaj Vitalit do të ngadhënjente”, shton ai.

Edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës në boks, Xhevdet Peci, ndan mendimin e Bogujevcit. “Pse mos me boksu? Ai ka jetuar dhe jeton si profesionist. Mendoj se duhet të vazhdojë”, insiston Peci.

Sipas tij, me pak fat, Krasniqi mund të shpallet kampion i botës. “Kjo do të ishte kënaqësi e mbarë kombit shqiptar. Luani e ka vërtetuar së është njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë”, thotë ai.

Paksa më skeptik duket një tjetër legjendë e boksit kosovar, Nazif Gashi. Trajneri kosovar i boksit mendon se Luani mund të vazhdojë të boksojë, por jo edhe ta fitojë ndonjë titull.

“Luani mundet ta zhvillojë edhe ndonjë meç, me kundërshtarë më të lehtë, ngase me kundërshtarë më të fortë nuk besoj se do të mund të arrinte sukses. Le ta provojë edhe ndonjë meç, derisa ta kuptojë se nuk mundet më. Nuk besoj se ka mundësi që të bëhet kampion i botës. Dëshira është tjetër, e mundësitë tjera. Ai ka vullnet, por energjia dhe koha (mosha) janë më të rëndësishme”, përfundoi ai.

Krasniqi nuk ka boksuar nga nëntori i vitit 2009, kur ishte mposhtur për herë të fundit nga ukrainasi Aleksandr Dimitrenko. Ai tentoi të kthehej në vitin 2010, por një lëndim në këmbë nuk e la ta bënte një gjë të tillë.

Fat i njëjtë, boksierin kosovar e ndoqi edhe këtë muaj, kur ai u sëmur (infektim të sinuseve), me ç’rast u desh ta anulojë meçin e 26 shkurtit ndaj amerikanit Johnathon Banks. Mirëpo, ky meç mund të zhvillohet më 16 prill.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›