Morati: Mbeta keq! Por Interi beson te kualifikimi në 1/4
Nuk ka ngurruar të komentojë humbjen e së mërkurës Masimo Morati. Presidenti i Interit pranon se ka mbetur thellësisht i zhgënjyer, por nuk pranon që të hedhë poshtë portierin e tij, duke justifikuar gabimin e brazilianit. “Mbeta keq, por për rezultatin, sepse skuadra luajti mirë. Ishim të pafat te goli i pësuar. Kam mbështetur të gjitha zgjedhjet e Leonardos. Na mungoi një qendërsulmues, por të paktën të dielën në kampionat do të kemi Pacinin. Zhulio Sezar? Nuk mund të vihet në diskutim, na ka shpëtuar shpesh herë.” Trajneri i Interit, Leonardo, thotë se shpresat për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ende janë të gjalla, pas disfatës së mbrëmshme nga Bajern Mynihu. Interi pësoi një humbje befasuese në shtëpi nga Bajerni i Mynihut kur Zhulio Sesar nuk arriti të ndalojë golin e Mario Gomezit në minutën e fundit të kohës së rregullt. “Zhulio Sezar nuk ka nevojë të kërkojë falje. Kishte shumë shanse në këtë ndeshje dhe kjo është pjesë e sportit. Është e vërtetë se kjo humbje është edhe më shumë zhgënjyese, sepse vjen në fund të ndeshjes, por gjithçka është e hapur për mua, pasi ne luajtëm në nivele të barabarta. Humbja është gjithmonë humbje, por fakti se ne e pësuam në minutën e 90-të nuk do të godasë besimin tonë. Nuk ka shumë ndryshime për ndeshjen e dytë, pasi edhe një barazim 0-0 do të kishte qenë i vështirë në ‘Allianz Arena’. Në fillim dështuam t’i godasim ata në kundërsulme, por u përmirësuam pas pushimit”, ka thënë Leonardo. Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka qenë i tronditur nga disfata 1-0 nga Bajerni i Mynihut në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve. Kampioni në fuqi i garës më të madhe europiane u mposht in-extremis, dhe kapiteni është vërtet i mërzitur. “Ne jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer. Mbi të gjitha ky rezultat është një turp i madh, pasi treguam se sa shumë u kujdesëm për këtë ndeshje dhe sa shumë kujdesemi për Ligën e Kampionëve. Ishte një ndeshje e intensifikuar dhe ne krijuam shumë raste për të kaluar në avantazh, prandaj ishte një ndeshje e ekuilibruar në të cilën barazimi mbase ishte rezultat i duhur. Tani ne do të shkojmë në Mynih me qëllimin e vetëm: fitoren. Në ‘Allianz Arena’ do të na duhej të shënonim edhe nëse takimi përfundonte barazim, ndaj objektivi nuk ndryshon shumë,” ka deklaruar kapiteni zikaltër.
Van Gal: Fituam një ndeshje argëtuese
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, ka qenë i befasuar me lojën e hapur që ka zhvilluar Interi në ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve. Interi u mund në mënyrë befasuese me rezultat 0-1, pasi Mario Gomez shënoi në minutën e fundit të kohës së rregullt. “Ishte një ndeshje argëtuese me shumë mundësi shënimi. Mbase ne krijuam ca më shumë raste, prandaj jam i kënaqur, ndonëse në fund ishin ca me fat. Vërtet më ka pëlqyer paraqitja në pjesën e dytë, pasi Interi punoi fuqishëm pa arritur shumë dhe ne kishim kontrollin. Interi më ka befasuar, pasi ata luajtën një stil futbolli shumë sulmues dhe kreativ, por portieri ynë Thomas Kraft bëri një ndeshje të shkëlqyer”, ka thënë Van Gal.
Deshamp: Mospësimi i golit më kënaq
Didie Deshamp, trajneri i Olimpik Marsejës, ka qenë i ngazëllyer pasi ekipi i tij nuk ka pësuar gol në ndeshjen e së mërkurës kundër Mançesterit. “Për ndeshjen e parë është shumë e rëndësishme të mos pësohet gol. Ne e bëmë këtë, ishte një ndeshje e vështirë, pasi Mançester është një ekip i madh. Ne kishim disa minuta të mira në pjesën e dytë për 20-25 minuta, por nuk mund të gjenim golin. Jam shumë i lumtur për lojtarët e mi, ata kanë dhënë më të mirën. Është e rëndësishme që edhe në ndeshjen e kthimit të mos pësojmë gol dhe, nëse kemi rast, të shënojmë. Mançester gjithmonë është favorit, nuk është një rezultat i keq për ne, por është rezultat i mirë për Mançesterin”, ka deklaruar Deshamp.
Ferguson: Do ta fitojmë ndeshjen e kthimit
Sër Aleks Ferguson thotë se ekipi i tij do ta arrijë fitoren në ndeshjen e dytë të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve ndaj ekipit Marsejës. ‘Djajtë e Kuq’ arritën një barazim pa gola ndaj ekipit francez në ndeshjen e parë të mbrëmshme të zhvilluar në ‘Stade Velodrome’, por Ferguson është i bindur se ndeshja e kthimit më 15 mars në ‘Old Trafford’ do të ketë një fund të lumtur. “Ishte zhgënjyese, fusha ishte energjike, por ata u siguruan që të mos pësonin gol. Ne krijuam disa raste të mira, por nuk krijuam hapësira të mjaftueshme. 0-0 mund të jetë një rezultat i rrezikshëm, nëse pëson një gol në shtëpi, por ne do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen. Jemi të bindur, mendoj se do të jetë një ndeshje më e mirë”, ka thënë Ferguson.