Besueshmëria, si një bast kuturu
Në qoftë se dikush do të kërkonte të skajonte një nga problemet më të mprehta me të cilat ndeshet shoqëria jonë, jo në rrafshin material, por atë kulturor e moral, ka mjaft gjasa të mendonte si unë, se është ai i vlerës së besueshmërisë, e cila jo rrallë paraqitet si një bast i vënë pamenduar fare mbi diçka apo mbi dikë. Këtu dua thjesht të grupoj disa ide rreth kësaj çështjeje, pa rënë në retorikë, duke synuar një shtrim të problemit dhe një arsyetim për mënyrat e zgjidhjes së tij.
Forca e potenciali veprues i një shoqërie varet shumë ditëve tona nga fakti se çfarë burimesh strukturore dhe vepruese mund të vërë ajo në punë. Rëndom bëhet fjalë kështu për gjëra krejt konkrete si kapitali, infrastruktura, pasuritë natyrore, numri i popullsisë, situata gjeopolitike etj. Por këtu bëhet fjalë edhe për disa burime disi më abstrakte, si shkalla e arritjes së konsensusit, identiteti, respektimi i ligjeve, iniciativa sipërmarrëse apo shkalla e civilizimit të mentalitetit të qytetarit. Ndër këto burime të fundit, që përcaktohen si burime kulturore deri dhe morale, besueshmëria merr një rëndësi tepër të madhe sepse kur ajo shkatërrohet, ka të ngjarë, siç dëshmojnë një sërë rastesh konkrete, që shoqëritë të degradojnë e të bien në kolaps.
E luhatshme ndaj këtij rreziku ka qenë rruga e shoqërive lindore ish-komuniste drejt një demokracie të qëndrueshme dhe ekonomisë së tregut. Plot pengesa që nuk u përfytyruan dhe aq qartë në kohën e entuziazmit për ndryshime u shfaqën më vonë, ku një pjesë e madhe e tyre u kushtëzuan edhe për shkak të ndryshimit të hierarkisë së vlerave. Pranimi i besueshmërisë si një vlerë sociale do t'u ndihmonte shumë proceseve demokratike në ecurinë e tyre. Duke qenë një energji mbështetëse e mirë (ose e keqe) në përballimin e së ardhmes e duke qene se natyra njerëzore e ka të domosdoshëm në veprimin e saj prirjen kah e ardhmja, e meqë e ardhmja në një shoqëri komplekse paraqitet gjithnjë e më e mugët dhe e pasigurt për shumë faktorë që nuk varen prej nesh (N.Luhman), besueshmëria i ndih thjeshtëzimit të kësaj shoqërie tepër të ndërlikuar, sepse ul shkallën e pasigurisë. Ajo ndikon që disa pjesë të errëta të veprimeve shoqërore të merren si të njohura e të përfytyruara qartë, duke dalë kështu jashtë lakut të diskutimeve pafund e dyshuese. Njeriu ka shumë nevojë për diçka të tillë, në mënyrë që të vazhdojë më i qetë veprimtaritë e tij të përditshme, të vogla e të mëdha, duke rritur mundësitë për produktivitet të lartë e cilësor në të gjitha fushat. Ta zëmë, qëndrueshmëria e një korpusi ligjesh në reforma dhe mos korrigjimi i tyre sa herë që ndërrohen pushtetet, përbën një element të këtillë sigurie për shumë aktorë veprues në shoqërinë tonë, për shembull për biznesin.
A mund të jetë atëherë besueshmëria thjesht një hamendje ose një bast i vënë kuturu në aksh forcë politike e në një politikan, mjek, gjykatës e mësues të caktuar, siç pohohet në titullin e këtij shkrimi? Mendja ta do që jo, pavarësisht se në dukje mund të marrë formë të tillë për sy të pamësuar për të këqyrur më thellë. Tjetër gjë është kur thuhet: "Unë shpresoj që thatësira të mos zgjasë" dhe krejt tjetër: "Unë besoj se KESH i ka marrë masat për këtë situatë". Basti ose ndryshe shpresa në këtë rast vihet për gjëra që dalin jashtë kontrollit njerëzor, me të cilat njeriu mund të përshtatet disi, në qoftë e mundur. Përkundrazi besueshmëria lidhet me ngjarje që janë përftuar nga veprimi njerëzor, i cili mund të vëzhgohet e verifikohet se deri ku është i besueshëm personi ose grupi shoqëror në veprimet e tij, domethënë duke përdorur një shqyrtim të thjeshtë krahasues, pragmatist, shohim ato çka flet dhe si vepron. Edhe në këtë rast, si te basti i verbër, ka gjithnjë disa elementë pasigurie që arrijnë t'i shpëtojnë arsyes tonë njohëse, por këto do të jenë shumë më të pakta në rast se ne kemi kohë që ndjekim e vëzhgojmë personin, grupin ose institucionin, në mënyrë që të krijojmë besueshmëri. Në këtë pikëpamje, besueshmëria ka të bëjë me sfera krejt të ndryshme të shoqërisë, qofshin këto institucionale si ekonomia, arsimimi, mjekësia, e drejta, por ka dhe besueshmëri tek teknologjia, tek produkte të caktuara, për të mbërritur mandej deri te besueshmëria ndaj një pozicioni shoqëror, si juristi, mjeku etj.
Besueshmëria në të gjitha fushat e lartpërmendura duhet të varet nga disa faktorë, domethënë ne votojmë për partitë ose politikanët sepse i besojmë dhe na duken të përgjegjshëm e jo mashtrues, po aq ne besojmë te një shitës sepse kemi parë që nuk na mashtron. Pikësëpari ajo ka të bëjë me llogarinë për të ardhmen; së dyti, me prirjen e individit a grupit për ta ndërthurur fjalën me veprimin konkret; së treti, me përgjegjësinë për ta pranuar e ruajtur këtë cilësi, e njëherësh me mospërdorimin e tjetrit si mjet, njeriu duhet të jetë gjithnjë qëllim sipas Kantit.
Në këtë mënyrë, besueshmëria mund të ketë ndikime pozitive jo vetëm për ata që e japin atë, por edhe për ata që e marrin. Të gëzosh besim dhe ta përligjësh atë, domethënë të çlirohesh prej disa detyrimeve shoqërore vetëmbrojtëse. Kur personat dhe institucionet e marrin këtë "kredit besueshmërie" ato mund të çlirojnë mjaft kohë pune e aftësi, të humbura zakonisht për të ushtruar kontrolle e "spiunllëqe" të vazhdueshme, gjë që na i ka lënë pak në derë edhe sistemi i vjetër. Një anë tjetër pozitive e nxitjes së kësaj vlere është mjedisi ku nxitet kjo frymë, kultivon marrëdhënie ndërnjerëzore pa para-e prapamendime të mbrapshta, mënjanon injorancën pluraliste, ku asnjëri nuk e di se si do veprojë tjetri dhe i gjithë grupi, shuan konfliktet e përhershme.
Për të kuptuar se si mund të kthehet ky besim i humbur ndaj mjekut, gjykatësit, mësuesit a politikanëve nuk mjafton të përshkruhet ky mosbesim faktik nga mediat ose të studiohet statistikisht, por duhet shpjeguar e kuptuar se si është bjerrë besimi fillestar për demokracinë dhe si është rritur mosbesimi. Një nga shkaqet më të ndjeshme është ndikimi i mendësive të vjetruara jo transparente e të mbyllura për publikun, të shumë proceseve që duhej të ishin transparente. Kjo mbulon mjaft veprimtari institucionale edhe ditëve tona, pas kaq vitesh demokraci me një vello pasigurie, padije, apo shumëkuptimësie opake, që nga procedurat për të arritur një shkallë të caktuar kualifikimi e deri te shërbimet ose konkurrimet e ndryshme. Së dyti, shkalla e papunësisë ose thjesht rreziku i mbetjes pa punë krijon ankth, pasiguri e zhgënjim për politikat e ndjekura që shtrihen më tej ndaj tërë sistemit, e kjo vlen për një shtresë jo të vogël njerëzish. Së treti, monopolet e dukshme e të padukshme të mallrave ose shërbimeve të caktuara dhe pamundësia e një veprimtarie të mirëfilltë të organizmave që ndjekin konkurrencën e bëjn mjaft herë konsumatorin të ndjehet i vjedhur kur paguan më shumë për disa shërbime ose mallra, që deri edhe këtu afër në rajon janë me çmime më të arsyeshme. Në këtë klimë të përgjithshme mosbesimi as që pritet të ndikojnë apelet moraliste, por do të duhej të ndërtohej një mjedis real besueshmërie duke ndërtuar kushtet shoqërore, politike, pozitive të një klime mirëbesimi. Kjo do të mund të fillonte dhe ndofta ka filluar me eliminimin e pasigurive nga vetë qeveria, e cila në këtë rast është mirë të orientohet nga një politikë e qartë dhe me një logjikë të njëjtë e të provonte me fakte, ashtu si po përpiqet, dëshirën e mirë për reforma, duke shmangur sa më shumë politikat eksperimentuese, të cilat i bëjnë njerëzit mosbesues. Zgjidhje tjetër do të ishte mënjanimi sa më tepër që të jetë e mundur i voluntarizmit subjektiv ndër ligjet e aktet nënligjore, e në këtë fazë do të duhej që ligjet të përfytyroheshin, në rastin më të mirë, sikur do të ishin të përjetshme, e jo sa për një periudhë pushteti në pozitë, sidomos reduktimi i pasigurisë së ligjeve që kanë të bëjnë me individin e me pronën. Tejdukshmëria e politikave të ndryshme, qysh në ato të sigurimeve e deri te procedurat, do t'i ndihte akoma më shumë klimës së besueshmërisë. Vetëm kur qytetarët ta ndjejnë që shumë vendime publike varen me të vërtetë prej votës që kanë dhënë ose prej vendimeve të tjera të tyre, ata do të mund të zhvillojnë frymën e një përgjegjësie publike dhe lojaliteti ndaj ligjeve. Dihet tashmë se sistemet politike që i lejojnë individit më shumë vendimmarrje janë ato që gjenerojnë më tepër besim. E më së fundmi, por jo për nga rëndësia, do të ishte përpjekja për ta mënjanuar sa më tepër inkompetencën sidomos në pozicionet përgjegjëse. Domethënë, një institucion që sillet profesionalisht, kompetent dhe në mënyrë serioze në të gjitha "qelizat" e tij nxit besueshmëri. Dhe nga ana tjetër, përvojat që lenë për të dëshiruar në këtë drejtim, edhe sikur të mos jenë të përgjithshme por të herëpashershme, riskojnë gjithë punën e mirë të pjesës tjetër të stafit përbërës.
Padyshim që një rol mjaft të madh luajnë këtu edhe format e tjera të shoqërizimit, si shkolla, familja etj. Prandaj ato do të duhej, së paku, të nxisnin një frymë besueshmërie në marrëdhëniet brenda tyre, e më pas jashtë tyre. Ja pse, të nxisësh besimin në shoqëri do të thotë të kesh rezultate më të larta në shumë drejtime e zhvillim më të madh se ai i shoqërive mosbesuese e dyshuese pa rregulla loje, prej nga ku po përpiqemi të largohemi prej vitesh.