Vetëm tre ditë për reformën zgjedhore
Deri më sot politikanët shqiptarë, para çdo procesi zgjedhor, kanë bërë "reformë zgjedhore" dhe në fund të secilit prej këtyre proceseve kanë thënë prapë se ka vendi nevojë për një reformë të tillë! Paradoksalisht, sistemi më i mirë zgjedhor ka rezultuar ai i vitit 1992, një sistem mix ku vota e kandidatit dhe ajo e partisë ishin të unifikuara. Në këto zgjedhje konkurrohej drejtpërdrejt në 100 zona, ndërsa të paktën 40 deputetë futeshin në Parlament bazuar në përqindjen e proporcionalit të llogaritur në shkallë kombëtare, për secilin subjekt politik që kalonte pragun elektoral prej 4%. Zgjedhësit kishin të drejtë të votonin vetëm për kandidatët (pra kishin vetëm një votë) dhe përqindja e marrë prej tyre llogaritej si përqindje e partive përkatëse. Të gjitha zgjedhjet e mëvonshme në Shqipëri janë kontestuar. Këtë gjë, veç të tjerash, e ka stimuluar edhe "reforma zgjedhore" e radhës. Mjafton ky fakt, për të kuptuar se klasa politike nuk ka qenë e interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme por për interesa private, të cilat kanë shkuar në drejtim të kundërt me interesat e publikut.
***
Për ta kryer reformën zgjedhore në Shqipëri mjaftojnë vetëm tri ditë. Një ditë, për të rënë dakord për sistemin, një ditë, për t'i shkruar gjërat dhe një ditë për të ngritur dorën në Parlament. Ka disa modele të gatshme, të cilat mund të aplikohen suksesshëm në Shqipëri. Por nuk është problemi këtu, nuk po kërkohet një reformë për Shqipërinë, por po kërkohet modifikimi i radhës, në mënyrë që disa protagonistë të mbeten gozhdë në politikë edhe pa pasur asnjë mbështetje nga qytetarët. Ky nivel mjeran i politikës sonë, nuk ka se si të mos reflektohet në qeverisje. Po vazhdojmë të shohim panoramën e kahershme. Një grumbull njerëzish që mendojnë se si t'ua hedhin zgjedhjeve të radhës, si të jenë përjetësisht në sofrën e parë, si ta shfrytëzojnë pozicionin e tyre politik për t'u pasuruar sa më shumë. Një grumbull i formësuar sipas interesave të çastit. Kjo politikë amorfe ka krijuar probleme madhore për vendin. Nga njëra anë kemi një shoqëri në tendencë ecjeje të shpejtë ndërsa nga ana tjetër një politikë nuk i përgjigjet asaj. Biznesi në zhvillim tronditet nga keqmenaxhimi i KESH-it, investimet e huaja nuk vijnë më nga problemi i pazgjidhur i pronave, qytetarët varfërohen relativisht nga tendenca në rritje e inflacionit, korrupsioni në disa nga sektorët më jetikë si shëndetësi, drejtësi, shërbime etj., është ndër më të lartit në botë (Raporti i fundit i Transparency International).
***
Çështja e reformës zgjedhore është rikthyer në politikën shqiptare, për faktin se ajo po kërkohet nga ndërkombëtarët. Debati kryesor lidhur me reformën është ai mbi sistemin zgjedhor dhe brenda sistemit edhe për pragun e futjes në parlament. OSCE, ka sugjeruar katër variante për sistemin, përkatësisht sipas modeleve, gjerman, spanjoll, bullgar dhe grek. Ndër to, dy modelet e para duket se janë më të diskutueshmit.
Modeli gjerman është i ngjashëm me modelin e sistemit që ne kemi sot, dhe nuk ndryshon asgjë thelbësore përveç raportit të numrit të deputetëve që futen në konkurrim të drejtpërdrejtë dhe atyre që futen nëpërmjet proporcionalit. Por pasi të jetë modifikuar, sepse ky sistem përmban dy vota dhe krijon sërish mundësinë për "megadushk". Ndryshimi tjetër që vihet re, e që ka të bëjë me pragun (5%), është kundërshtuar nga partitë e vogla. Ky sistem do të thotë rikthim në sistemin e vitit 1992, veçse me balancim të numrit të deputetëve (70 me maxhoritar dhe 70 me proporcional). Sistemi spanjoll, sistemi bullgar dhe ai grek, janë që të tre sisteme proporcionale rajonale, por që në thelb ndryshojnë nga nivelet. Sistemi spanjoll është me një nivel, vetëm rajonal; sistemi bullgar është me dy nivele: rajonal dhe kombëtar; ndërsa sistemi grek ka tre nivele: rrethi, rajonal dhe kombëtar, dhe i jep prioritet partisë që rezulton e para në zgjedhje. Të tri këto sisteme kanë një prag elektoral 3%. Të katër sistemet e përmendura me ndonjë modifikim mund të aplikohen në Shqipëri. Por nuk janë më të përshtatshmit.
***
Ka një sistem tjetër që do të ishte më i përshtatshmi të paktën për një periudhë 20-vjeçare në Shqipëri. Ky është sistemi zgjedhor skocez, sistem proporcional kombëtar, me lista të hapura, me prag 5%, i aplikuar së fundi në Kosovë. Pse ky sistem do të ishte më i përshtatshmi për Shqipërinë? Sistemi, në fjalë i korrigjon të gjitha defektet e vëna re deri tani në zgjedhjet shqiptare dhe i përmban të gjitha standardet që i kanë katër sistemet europiane të përmendura më sipër. Por ka edhe një gjë shumë thelbësore dhe të nevojshme për Shqipërinë, që nuk e kanë sistemet e tjera në diskutim. Sipas këtij sistemi, përveç konkurrimit me njëra-tjetrën partitë do të ishin të imponuara ti nënshtroheshin edhe një gare të brendshme elektorale. Vetë qytetarët do të vendosnin se cilët emra (pavarësisht nga renditja në listat e partive), do të futeshin në Parlament. Ky sistem do të demokratizonte, në radhë të parë, jetën e brendshme të partive politike, të cilat funksionojnë si reparte ushtarake dhe realisht do të bënte që zgjedhjet politike të ishin njëkohësisht edhe kongrese për secilën parti, ku votimi do të kryhej sipas parimit "një anëtar, një votë". Rezultati i zgjedhjeve është i përcaktueshëm brenda natës, bazuar në votat e marra nga partitë. Adaptimi i sistemit zgjedhor do të jetë prova më e mirë për të treguar se sa janë të gatshëm politikanët kryesorë shqiptarë t'i nënshtrohen një konkurrence përfaqësuese brenda dhe jashtë partive të tyre, dhe sa është e gatshme Shqipëria të realizojë më në fund një reformë zgjedhore afatgjatë, për t'i dhënë fund njëherë e mirë telasheve të mëdha që kanë ardhur prej zgjedhjeve të pandershme.