E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kjo mënyrë bën të votojmë të parazgjedhurin tonë"

Kur flasim për liderin, kemi parasysh Kryeministrin pasi Kushtetuta i ka dhënë në dorë të ketë fatet kryesore të vendit qoftë në mënyrë direkte përsa i përket politikave ekonomike, sociale, integruese dhe qoftë në mënyrë indirekte, për çdo lloj politike tjetër. Është bërë një normë që Kryeministri të dalë nga radhët e liderit të partisë, qoftë asaj demokratike apo dhe asaj socialiste. Në këtë mënyrë, fatin e ka partia. Për të dalë nga ky "fat partiak" duhet gjetur një mënyrë, që në këtë votim për liderin partiak të marrin pjesë sa më shumë persona dhe në zgjedhje të përgjithshme të mos votojnë rreth personave të cilët nga ana tjetër janë zgjedhur si liderë partiakë nga 500 delegatë apo siç thuhet rëndom, kongresmenë. Pra, përpara se të zgjedhim, ne përzgjedhim. Kjo mënyrë bën të votojmë të parazgjedhurin tonë duke lënë prapa njëherë e mirë të votojmë atë që në zgjedhje të përgjithshme na paraqitet si e keqja më e vogël. Mënyra si u zgjodh kreu i PS, Rama, e rregullon mjaft formën e zgjedhjes nga ku morën pjesë jo më 500 persona, por gjithë anëtarësia e PS.
Përsëri ka vend për ta zgjeruar akoma këtë sistem, në mënyrë që pretendenti për Kryeministër të zgjidhet dhe nga simpatizantët e partisë. Këtu është hapi i parë, që të dy liderët kryesorë politikë të zgjidhen nga një numër sa më i madh qytetarësh. Pas kësaj vjen hapi i dytë, që është zgjedhja e Kryeministrit, për të vazhduar tek hapi i tretë, që është bilanci i këtij kryeministri që përkon me fundin e mandatit mund (themi mund) të japë atë lider që ne kërkojmë apo presim dhe që do të përkojë me respektimin e Kushtetutës e të ndarjes së pushteteve, jo autoritarizmit, uljen e varfërisë, me ngritjen e prestigjit shqiptar në botë, jo thjesht me afrim, por me futjen e Shqipërisë me të drejta të plota si anëtare e BE dhe, së fundi, ky lider t'i lëshojë karrigen e pushtetit një lideri të ri. Makiaveli "priti" 3 shekuj gjersa i erdhi ai princ i cili bëri atë proces dhe ndryshim që ai kërkonte. Mos duhet të presim dhe ne kaq vite liderin tonë, që ndoshta ndokush mund të shprehej se është njësoj si të presësh Godonë! Dhëntë Zoti jo!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›