E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jemi bërë morgu i të gjallëve"

I vështirë, shumë i vështirë ky tranzicion i gjatë dhe i pafund. Fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja, nga prapa xhamave të dritareve vështrojnë e shohin përjashta se si ikin ditët dhe se si vijnë netët, si kalojnë javët dhe si mbushen muajt, si ndryshojnë stinët dhe si ndërrohen vitet, pa shpresë se edhe ata, ashtu si moshatarët e tyre, një ditë do të dalin nga ngujimi dhe do të lëvizin lirshëm në rrugë, do të shkojnë nëpër shkolla dhe do të shëtisin në qytet, do të punojnë në ara dhe do të ngjiten në bjeshkë. (Në këtë tranzicion të vështirë, jo vetëm nuk funksionon ligji, por është deformuar edhe Kanuni). Për këta fëmijë fatkeqë ngujimi është morgu i të gjallëve. Në pamundësi për të shkuar legalë në Europë, të rinjtë shqiptarë këmba-dorazi shkojnë drejt saj: në këmbë, mes maleve me dëborë dhe me gomone, mes dallgëve të egra të detit, duke e parë vdekjen me sy dhe prindërit me zemër të ngrirë presin së ç'lajme do të marrin. Dhe kur vdekja dhe jeta udhëtojnë kaq pranë njëra-tjetrës, koha mund të quhet morgu i të gjallëve.
Vetëvrasjet dhe vrasjet në familje janë bërë të përditshme dhe aq të zakonshme. I marrim jetën njëri-tjetrit në dëshpërim, vëllai vret vëllanë dhe vëllezërit vrasin motrën, djali vret babain dhe babai vret djalin, burri vret gruan dhe gruaja vret burrin, vjehrra vret nusen dhe nusja vret vjehrrën: babai përdhunon vajzën e tij, vetëvaret fëmija i vogël, vetëhelmohet vajza e re dhe vetëvritet burri i moshuar; një trembëdhjetëvjeçar vret një pesëdhjetëvjeçare, pastaj edhe e përdhunon atë. Është e rëndë ta themi, por jemi të detyruar ta pranojmë se shoqëria jonë po identifikohet si shoqëri depresive. Pasiguria e jetës është aq e madhe, sa edhe jeta brenda familjes është e tronditur dhe e dyshimtë, prandaj kjo kohë tranzicioni e ka emrin morgu i të gjallëve.
Vajza largohet pa adresë nga shtëpia, djali për vite e vite me radhë në kurbet nuk u bën as edhe një telefonatë prindërve të tij, madje as në emisione televizive, megjithëse prindërit i sheh nga ekrani, nuk preket fare nga lotët e tyre të përmallimit, por nuk hap as telefonin. Për këta pleq të gjorë e prindër të vetmuar, të përvëluar nga malli, jeta e ka humbur kuptimin e saj dhe kur jeta nuk ja vlen të jetohet më, atëherë koha nuk ka emër tjetër, veçse morgu i të gjallëve.
Secili nga ne, në çdo minutë të ditës dhe në çdo orë të natës, kudo që shkojmë dhe ngado që të vemi, jemi të ekspozuar me pasigurinë e jetës. Dhe për të gjitha këto e shumë të tjera si këto, kjo kohë e vështirë dhe e gjatë tranzicioni ka vetëm një emër dhe pa asnjë sinonim: morgu i të gjallëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›