E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja administrative e PS-së mund të “ndërrojë” anën e peshores



Rinumërimi i të gjitha kutive ku socialistët pretendojnë shkelje të procesit mund të kthejë në mënyrë të rrufeshme balancat e peshores elektorale. Sot, pas rezultateve finale për kutitë e rinumëruara të Fierit, flitet për një raport mandatesh ku 70 vota i ka koalicioni i kryesuar nga PD-ja, 66 ai i kryesuar nga PS-ja dhe 4 mandate i ka koalicioni i kryesuar nga LSI-ja. Nëse për një moment do të supozonim se KQZ-ja (apo Kolegji Zgjedhor në finale) do të jepnin dritën jeshile për rinumërimet e pretenduara socialiste (në Berat, Tiranë e Shkodër) dhe nëse nga këto tri qarqe PS-ja do të siguronte dhe dy mandate (si pasojë e rinumërimit), atëherë do të kishim një balancë “perfekte” 68-68 mes koalicioneve të PD-së dhe PS-së, duke vazhduar ta mbajnë LSI-në në pozitat e “kingmaker”-it, por duke i rrëzuar asaj alibinë për “shpalljen e marrëveshjes në parim me koalicionin fitues të PD-së”. Socialistët prandaj po luftojnë “me mish e me shpirt” për të zbardhur të vërtetën e kontestimeve në këto qarqe dhe në zona të caktuara, pasi në rast se dyshimet e tyre vërtetohen, kjo do të thotë automatikisht se PS-ja nuk është humbëse e këtyre zgjedhjeve, duke djegur kështu të gjitha argumentet matematikore të PD-LSI-së. Është pikërisht kjo fije e hollë “ekuilibri” që i bën dhe demokratët në pushtet shumë të “ndjeshëm” nga fati administrativ i këtyre kutive ku socialistët kanë pretendime, pasi mund të jenë pikërisht këto kuti ato që mund “të hedhin në erë” festimet e deritanishme të demokratëve.
Strategjia
Sot duket qartësisht se edhe shpalljet apo zyrtarizimet paraprake të rezultateve zgjedhore nisën pikërisht në qarqet veriore duke krijuar një avantazh publik për demokratët, ndërsa më vonë u konstatua dyllosja e shumë kutive në Jug, ku socialistët pretendojnë mandate të munguara. Kishte vetëm dy institucione të besueshme që ofronin rezultate të përditësuara. Ato ishin konferencat për shtyp të zëdhënësit të KQZ-së dhe rezultatet on-line të projektit “ECA”. Që të dyja këto institucione publike nisën raportimin e të dhënave pikërisht nga katër qarqet në Veri, ku demokratët prisnin fitoren e tyre neto dhe krijimin e një avantazhi të pakapërcyeshëm nga ana e kundërshtarëve të tyre politikë. Më tej raportimet zbritën në Shqipërinë e Mesme, ku situata ruajti një barazi thuajse të përpiktë, me përjashtim të qarkut të Durrësit, ndërsa Elbasani dhe Korça treguan një pozitë barazuese, e cila në rastin e Elbasanit mund të quhet edhe si një fitore e demokratëve. Por, nëse në Shqipërinë e Mesme PD-ja mundi të ruante një ekuilibër perfekt, në qarqet e Jugut kjo forcë politike thuajse arriti një rekord të sajin falë Kodit. Në qarkun e Fierit Partia Demokratike nuk ka mundur kurrë në 10 vitet e fundit që të sigurojë mbi 4 deputetë (shpeshherë mezi kapte 3 të tillë), ndërsa sot numëron gjashtë të tillë. E njëjta gjë ka vlejtur edhe me Gjirokastrën, ku PD-ja mundi të kapte 3 apo me Vlorën, ku PD-ja arriti të siguronte 4 mandate me forcat e saj dhe 1 mandat të pestë falë aleates së saj, PDI. Vlen për t’u kujtuar se në Vlorë socialistët nga ana e tyre pretendonin një rezultat 9-3, që nuk erdhi kurrë, pasi demokratët u investuan jashtëzakonisht në sigurimin e votave në fshatrat e Jugut, të cilat karakterizohen nga një numër i madh popullsie për shkak të veçorive natyrore dhe resurseve bujqësore. Megjithatë, sot shihet qartësisht se PD-ja, ndonëse nuk mori dot fitoren neto në 4 qarqet e Veriut, luftoi për të rikuperuar “mangësitë” në Fier apo Berat nëpërmjet “lojës” së komisionerëve. PD-ja, falë strategjisë së saj, mundi të dominonte me mandatet si koalicion, ndërsa forca e strategjisë së demokratëve duket se është shumëfishuar gjatë rrugës falë përçarjes që ekzistonte në kampin e majtë që më përpara.
Avantazhi
Demokratët kanë punuar me skema të sigurta për të paktën në katër qarqe në Veri, ku krerët e PD-së prisnin të krijonin një superioritet prej afro 25 deputetësh. Kjo ka qenë dhe arsyeja e shumë shkeljeve të konstatuara në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Lezhës. Avantazhi i synuar prej 25 deputetësh në këto 4 qarqe pranohet nën zë edhe nga funksionarë të PD-së. I vetëdijshëm për influencën e Partisë Demokratike në këto qarqe, Berisha kërkoi me çdo kusht maksimalizimin dhe fitoren thuajse neto në këto katër qarqe. Duket se plani ka filluar pikërisht atëherë kur ekspertët e Partisë Demokratike nuhatën faktin se Kodi Zgjedhor dhe mënyra e përllogaritjes së votave linte shumë shteg për të mos pasur një koalicion fitues me mbi 71 vota. Në këto kushte PD-ja nisi intensifikimin e fushatës dhe përpjekjeve në këto katër qarqe ku konkretisht synoi një fitore neto prej katër mandatesh në Kukës, e cila për pak sa nuk u arrit, synoi një rezultat 9-2 në Shkodër, një avantazh në shifrat 5-2 në Lezhë dhe një fitore 5-1 në Dibër. Ndoshta qarku i Shkodrës dhe mënyra se si precipituan ngjarjet atje është treguesi më i mirë se Partia Demokratike synonte një dominim absolut në këto zona. Një plan dhe një synim për sigurimin e një totali prej 25 votash “të sigurta dhe garantuese”, që do të certifikonte kapjen e mandatit të 74-t apo të 75-të të PD-së në rang vendi. Por rezultati tregoi se këto hesape të demokratëve nuk dolën ashtu si ata prisnin, megjithatë avantazhi në këto zona krijoi, sidoqoftë, një shtrat të mirë për të luftuar fort në qarqet e Shqipërisë së Mesme dhe ato të Jugut, pasi Kodi e maksimalizonte vlerën e votave të PD-së në qarqet e Jugut, për shkak se këto qarqe kishin një numër të madh popullsie dhe pragu për të kapur mandatin ishte më i ulët.

14 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›