Vasili: “Nuk ka pasur asnjë takim Berisha-Meta në Pogradec”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas lajmit për takimin mes Berishës dhe Metës në qytetin e Pogradecit. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, ka mohuar zhvillimin e këtij takimi, duke thënë se gjithçka është e pavërtetë. Në konferencën për shtyp, përfaqësuesi i LSI-së u shpreh se negociatat nuk kanë nisur ende, pasi ato do të vijnë në kohën e duhur. “Negociatat tona do jenë transparente”, - ka thënë Vasili, duke ripërsëritur atë që ka nënvizuar para disa ditësh kryetari i LSI-së, Ilir Meta, sipas të cilit, çdo hap i hedhur nga LSI-ja në këtë bashkëpunim do të jetë transparent për gjithë shqiptarët. I pyetur në konferencën e tij për shtyp në lidhje me mandatin e 9-të të Fierit duke u shprehur se të gjitha përplasjet PS-PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë probleme veçse mes tyre për sa kohë që ishin vetë këto dy parti që ndërtuan KQZ-në ekzistuese. “Ne do të respektojmë vendimin e KQZ-së, si institucion ligjor i ngritur me konsensusin e PD-së dhe PS-së”, - është shprehur Vasili. Përpara se t’i jepte përgjigje interesit të gazetarëve për procesin zgjedhor, sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, bëri apel për marrjen e masave në këtë kohë të sezonit turistik. “Shqipëria është aktualisht në kulmin e sezonit turistik. Mijëra aktivitete turistike janë në funksionim dhe qindra mijëra njerëz sot përfitojnë shërbimet e tyre. Kjo situatë kërkon një vlerësim të jashtëzakonshëm, sepse turizmi, si një sektor kombëtar me rëndësi ekonomike shumë të madhe, është një veprimtari shumë komplekse, e cila kërkon qëndrime dhe veprime të shumanshme. Turistët duhet të jenë sot në qendër të vëmendjes së shtetit shqiptar, sepse ai duhet të garantojë sot për ta një Shqipëri që duhet të jetë shtëpia e madhe turistike për të gjithë. Sot pushteti lokal dhe ai qendror duhet të bashkëveprojnë më intensivisht se kurrë dhe në sinkron të plotë dhe me shërbimet publike që ofrohen duhet të jenë sot në maksimumin e eficincës së tyre”, - është shprehur Vasili. Sipas tij, asnjë turist nuk duhet të këtë asnjë druajtje të lëvizë në çdo orë të ditës apo të natës në rrugët e Shqipërisë dhe Policia e Shtetit duhet ta garantojë plotësisht këtë. “Shërbimi shëndetësor, shërbimet e furnizimit me ujë, me energji elektrike dhe të pastrimit të mbeturinave duhet të jenë në eficiencë të plotë dhe nuk mund të tolerohet asnjë lloj apatie dhe papërgjegjshmërie, sepse dëmi që mund të shkaktohet nuk mund të japë pasoja vetëm për këtë vit turistik, por edhe për vitet që vijnë për shkak të imazhit negativ që mund të krijohet. Monitorimi i situatës duhet të jetë 24-orësh dhe turisti duhet të konsiderohet si qendra e vëmendjes së pushtetit qendror dhe lokal për çdo shqetësim që ai mund të ketë”, - ka deklaruar Vasili.
14 Korrik 2009