E Diel, 1 Nëntor 2026

Glover, 30 minuta takim kokë më kokë me Ristanin për situatën paszgjedhore



Kryetarja e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Odrei Glover, ka zhvilluar dje paradite një takim kokë më kokë me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Pas takimit, që zgjati rreth 30 minuta, asnjë nga palët nuk e bëri të ditur temën e bisedimeve. Por burimet nga KQZ-ja konfirmuan se kryetarja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Odrei Glover, ka kërkuar informacion për situatën paszgjedhore, e cila ka shënuar një zgjatje të deklarimit të rezultatit zyrtar përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. Mësohet se Glover dhe Ristani kanë biseduar mbi situatën e krijuar në vend, sidomos pas numërimit të kutive të votimit të Fierit.
Para pak ditësh Odrei Glover ka zhvilluar një takim të posaçëm edhe me kryesocialistin Edi Rama, prej të cilit ka dëgjuar pretendimet lidhur me rinumërimin e votave edhe në zona të tjera si Tiranë, Berat apo Shkodër. Ndërkaq, Glover, para dy ditësh, bëri publik edhe raportin e saj të dytë, të ndërmjetëm mbi zgjedhjet, në të cilin ka paraqitur kritika të forta në lidhje me procesin e numërimit të votave, që sipas misionit që ajo përfaqëson, ka paraqitur mjaft problematika. Madje, në raportin e vëzhguesve të ODHIR-it paraqiteshin kritika përsa i përket punës së KQZ-së. Në raport shkruhej se KQZ-ja në disa raste zgjodhi të mos ndërhynte për të qetësuar situatën e tensionuar, në një kohë kur pozicioni i saj ishte të monitoronte procesin. Duket se këto kritika në lidhje me KQZ-në, por edhe marrja e informacioneve më të detajuara që do të jenë pjesë e raportit përfundimtar të ODHIR-it për zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë pjesë e bisedës midis znj. Glover dhe Arben Ristanit.

Sot KQZ-ja do të shqyrtojë ankimimet e partive për qarkun e Tiranës

Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi që të shqyrtojë gjatë mbledhjes së sotme ankimimet e partive politike për rezultatin e qarkut të Tiranës. Për qarkun e Tiranës janë depozituar në KQZ një numër i konsiderueshëm ankesash nga subjekte të ndryshme politike. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pjesë e koalicionit të majtë "Bashkimi për ndryshim", kërkoi rinumërim të votave në KZAZ-të 49, 54 dhe 56, pasi votat në favor të këtij subjekti nuk figurojnë në tabelën e rezultateve. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, pjesë e koalicionit "Poli i lirisë", u ankimua pranë Komisionit Zgjedhor duke kërkuar rinumërim të votave në KZAZ-të 49, 45, 51 dhe 54 në Tiranë.
Gjithashtu dhe Partia Socialiste kundërshtoi vendimet e KZAZ-ve 55, 56, 57, 58 59 dhe 60 po të qarkut Tiranë. Nisur nga numri i madh i ankesave për këtë zonë zgjedhore, Komisioni ra dakord që ankesat të shqyrtohen paraditen e ditës së sotme.

Certifikohet mandati i 9-të i PS-së në qarkun e Beratit

KQZ-ja miratoi dje tabelën e rezultateve për Fierin. Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi me 7 vota pro tabelave të qarkut të Fierit duke certifikuar dhe mandatin e 9-të të deputetit të PS-së në këtë qark. Në kutitë që u rinumëruan një ditë më parë në avantazh me vota ka qenë PS-ja në shumicën e kutive të votimit. KQZ-ja për herë të parë rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kërkoi që dy kuti votimi të cilësohen të pavlefshme për shkak të mosplotësimit të rregullt të procesverbalit.
Njazi Kosovrasti tha se këto qendra duhet të shpallen të pavlefshme, pasi mënyra se si është plotësuar tabela e rezultateve është e jashtëligjshme. Partia Socialiste e ka kundërshtuar këtë kërkesë duke u shprehur se demokratët duhej ta paraqitnin pretendimin e tyre në ankimimin e depozituar në KQZ. Në përfundim KQZ-ja vendosi ta rrëzojë kërkesën e PD-së duke e mbyllur procesin e shpalljes së rezultatit në qarkun e Fierit.

PD: Do të ankimojmë në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e Fierit

Pavarësisht se KQZ-ja ka vendosur në favor të PS-së përsa i përket rinumërimit të kutive të Fierit, Partia Demokratike ka reaguar dje duke bërë publike se do ta ankimojë këtë rezultat në Kolegjin Zgjedhor. Nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Erla Mëhilli, PD-ja ka bërë publike se rezultati i qarkut të Fierit do të jetë objekt i një hetimi ligjor nga Kolegji Zgjedhor. Më tej PD-ja ka dënuar presionin që sipas saj po ushtron Edi Rama. “Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe presionin e Edi Ramës, humbësit të këtyre zgjedhjeve, i vetmi politikan që këndon në humbje, i cili çdo ditë, me presione dhe kërcënime, përpiqet të maskojë përgjegjësinë e tij për humbjet e zgjedhjeve. PD-ja i bën edhe një herë thirrje zotit Rama të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor. Të vërë në zbatim politikën e tij të re për të pranuar me dinjitet dhe mendje të hapur humbjen. Natyrisht, mandati i Fierit, të cilin PS-ja ia merr PDI-së me 160 vota më shumë, pavarësisht nga rezultati i shpallur, do të jetë objekt i një hetimi ligjor nga Kolegji Zgjedhor”, - është shprehur zëdhënësja e PD-së, Mëhilli.

14 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›