E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Bojkoti nuk është maturi politike

10/12/2009  Faktori ndërkombëtar vijon ti bëjë thirrje opozitës të hyjë në Kuvend

“Stabiliteti politik është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin”

Faktori ndërkombëtar lëshon një tjetër apel për klasën politike shqiptare, duke insistuar në gjetjen e dialogut dhe hyrjen e opozitës në Kuvend. Kështu, për çdo ditë e më shumë politika në vend po merr sinjale të qartë mbi koston që do të ketë për Shqipërinë, nëse do të vijojë të ndiqet e njëjta mënyrë politikëbërjeje, e cila ka si start datën 28 qershor. Në këtë mënyrë, përplasjet mes kampeve politike, qëndrimet e socialistëve kundrejt institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të qershorit kanë sjellë deklarata të ndryshme nga faktori ndërkombëtar, ku as më shumë e as më pak bëhet thirrje për stabilitet politik. Në të kundërt institucionet ndërkombëtare paralajmërojnë një rrugë të vështirë për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Në të njëjtën linjë ishte dhe mesazhi i lëshuar dje nga komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Olli Rehn.

Deklarata

Komisioni Europian në vazhdën e qëndrimeve mbi zhvillimet politike në vend lëshoi sërish dje një tjetër mesazh për klasën politike. Megjithëse KE-ja nga njëra anë ka vlerësuar se Shqipëria po bën një progres të mirë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, nga ana tjetër tërheq vëmendjen e opozitës socialiste për bojkotin parlamentar. Konkretisht, komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Olli Rehn, gjatë një deklarate komentoi lidhur me bojkotin e Partisë Socialiste. Sipas tij, qëndrimi i opozitës shqiptare është një shenjë e papjekurisë politike dhe është kundër kritereve të Kopenhagës. “Nuk është një mënyrë europiane e të bërit politikë. Të gjithë duhet të binden se duhet të përmbushen kushtet që ky bojkot të marrë fund. Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagës është stabiliteti politik dhe maturia demokratike. Bojkoti parlamentar është në kundërshtim me maturinë demokratike”, - vuri në dukje Rehn, duke deklaruar qartazi se cili është qëndrimi i BE-së lidhur me bojkotin dhe veprimet për ta institucionalizuar këtë vendim nga ana e Partisë Socialiste. Njëkohësisht kjo konferencë, e organizuar me këshillin e bashkëpunimit rajonal të presidencës suedeze, kishte në fokusin e saj përpjekjet e rajonit për kapërcimin e krizës ekonomike dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit europian. Në të morën pjesë 200 zyrtarë të lartë të rajonit, vendeve anëtare të Ballkanit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zvicrës dhe Norvegjisë. Pjesëmarrësit e konferencës dhanë mbështetjen e tyre të fuqishme për integrimin europian të Ballkanit në tërësi dhe shtynë qeveritë përkatëse të përparojnë me shpejtësi në rrugën e reformave.

Apeli

Vetëm pak ditë më parë komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Olli Rehn, kërkoi nga politika shqiptare që të ulet në diskutime dhe gjejë gjuhën e bashkëpunimit. Madje, në deklaratën e tij Rehn nuk hezitoi ta vinte theksin te situata konfliktuale mes opozitës dhe pozitës, duke theksuar se një gjë e tillë po ndikon negativisht në procesin për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane. Njëkohësisht nuk ka munguar dhe apeli për opozitën, së cilës i kërkohet të tërhiqet nga bojkoti ndaj Kuvendit.

Karl Bildt

“Për sa i përket gjendjes së dialogut politik në Shqipëri mund të them se është i pakënaqshëm. Unë do tu bëj apel udhëheqësve shqiptarë se duhet të ulen dhe të bien dakord që ta çojnë vendin përpara. Ky është mesazhi që mund të gjeni në këto përfundime. Ky është mesazhi që i vjen Brukselit, se ata duan të jenë pjesë e Evropës. Në Evropë ne kemi dialogun midis udhëheqësve politikë edhe kur disa herë nuk jemi dakord për disa çështje. Ne shpresojmë se Shqipëria do ti bashkohet kësaj tradite.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›