Kuintalë me peshk të qelbur në Zvërnec
NDOTJA/ Për të disatën herë në bregdet vijojnë të hidhen sasi të mëdha me peshk të prishur. Askush nuk ndëshkohet
Nga kryekomunari Berberi është kërkuar që policia të ndërhyjë e të nisë hetimi për përgjegjësit
VLORË - Sasi të konsiderueshme peshku të prishur kanë "pushtuar" dje plazhin e Zvërnecit. Banorë që kanë kryesisht lokale në këtë zonë, shpjegojnë se kanë parë një makinë të madhe frigoriferike, e cila ka shkarkuar gjithë sasinë aty.
Bëhet fjalë për një sasi mbi 400 kg peshk sardele (greke), e cila gjendej në arka, sasi kjo që ka përfunduar në bregun e detit, duke shkaktuar një ndotje të konsiderueshme. Kalimi përgjatë kësaj zone ka qenë thuajse i pamundur për banorët për shkak të erës shumë të keqe të peshkut të prishur.
Një nga banorët e zonës, Ali Hyseni, tregon se ka parë mjetin që të shkarkojë përgjatë bregut, në një kohë fare të shkurtër duke u larguar më pas. "Peshku ishte i qelbur dhe pas kësaj nuk rrije dot përgjatë gjithë zonës. Nuk është hera e parë që këtu hidhen ndotje të tilla, papërgjegjshmëri kjo që vijon dhe nuk penalizohet",- u shprehën banorët dhe peshkatarët e kësaj zone.
Nuk është vetëm bregu i detit që po ndotet kohët e fundit, por sasi të mëdha me arka me peshk të prishur kanë pushtuar të gjithë zonën e pyllit të Sodës. Banorët hedhin dyshime te peshkatarë, ose edhe nga ana e magazinave të peshkut, të cilët gjejnë rrugën më të shkurtër për të shkarkuar mbeturinat e tyre. Sipas tyre, sikur të mos mjaftonin ndërtimet e dy veprave në këtë bregdet, ndotjet vijojnë pareshtur edhe nga persona të papërgjegjshëm, duke dashur të injektojnë ndotje në një prej plazheve më të bukura.
Kryetari i komunës Qendër, Fredo Berberi, është informuar nga mediat në lidhje me hedhjen e kuintalëve të tëra të peshkut në zonën e bregdetit të Zvërnecit. Berberi tha se nuk kishte asnjë njoftim deri në orët e paradites dhe fill pas kësaj, me të marrë njoftim për situatën, do të dërgonte aty një nga skrepat dhe punonjës për të evituar në njëfarë mënyre ndotjen.
Duke u shprehur i indinjuar për situatën e krijuar, ai tha se nëpërmjet strukturave të komunës, do të niste investigimi, duke u kërkuar ndihmë policisë për të gjetur personat përgjegjës.
Pak kohë më parë, një situatë e ngjashme në zonën e pyllit të Sodës u denoncua edhe nga specialistë të Drejtorisë së Shëndetit në Bashkinë e Vlorës, Drejtorinë e Shëndetit Publik, si dhe specialistë të Ndërmarrjes Pyjore.
Ata thanë se shpeshherë zona e gjelbërt ishte bërë pre e hedhjeve të mbeturinave të shumëllojta, përfshi edhe mbeturina të peshkut, duke u ekspozuar kështu përballë ndotjes.
Gjithsesi, pavarësisht hedhjeve të ndryshme në zonë, ku nuk mungojnë as inertet dhe as mbeturina me shumicë të punishteve të drurit, lokaleve e mbetje të tjera, që kanë rritur ndjeshëm nivelin e ndotjes në zonën e pyjore, shumë pranë bregdetit.