E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri mes këshilltarëve lë pa bukë 100 familje

PATOS/ Debatet për rendin e ditës kanë çuar në mosmiratimin e buxhetit për rreth 100 punonjës


PATOS - U bie të fikët dy punonjëseve të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit, ndërsa këshilltarët bashkiakë vazhdonin konfliktin e tyre lidhur me rendin e ditës: të fillonin me miratimin e buxhetit për rreth 100 punëtorë që nuk janë paguar prej dy muajsh apo të nisnin me miratimin e mocionit të mosbesimit për kreun e Këshillit Bashkiak.


E ndërsa anëtarët vijonin debatin e ashpër, rreth 86 punëtorë të papaguar kanë hyrë në ambientet e këshillit, duke kërkuar miratimin e buxhetit për pagat e tyre.


Konflikt fizik ka pasur mes tre punonjësve dhe policëve bashkiakë, të cilët janë përpjekur që t'i nxjerrin jashtë punonjësit që kërkonin të merrnin paratë për punën e kryer gjatë muajve tetor dhe nëntor.

Gjatë kësaj përplasjeje dy prej grave që protestonin kanë humbur ndjenjat për shkak të përballjes fizike, duke u dërguar në spital, në mënyrë që mjekët të kujdeseshin për to. Pas një debati prej rreth 30 minutash, ku secili fliste dhe askush nuk dëgjonte, këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së kanë dalë jashtë sallës dhe situata është qetësuar, por duke lënë pa rroga sërish punëtorët.


Ndërkohë, mësohet se konflikti ka lindur mes këshilltarëve të PS-së dhe atyre të mazhorancës. Të parët kanë kërkuar që rendi i ditës të vijojë me miratimin e buxhetit për punëtorët e papaguar, ndërsa të dytët kanë dashur që si fillim të miratohet mocioni i mosbesimit për kryetarin e Këshillit Bashkiak Maksim Goga.


Sipas tyre, ky i fundit i ka mohuar shumicës së anëtarëve të këshillit për të ngritur një komision të përkohshëm ekonomik lidhur me transparencën e financave të administratës së ndërmarrjeve të bashkisë. Kreu i grupit të PD-së, Leonard Behaj, e cilësoi ngjarjen si një inskenim të kreut, Goga.


Mësohet se rreth 19 anëtarë të këshillit bashkiak që i përkasin mazhorancës (të djathtëve) janë mbledhur në një ambient lokali në qytetin e Fierit duke rrëzuar kryetarin aktual të këshillit bashkiak, Maksim Goga. Kryetar prej tyre është zgjedhur kreu i grupit të këshilltarëve të PD-së. Në këtë takim nuk ka pasur asnjë këshilltar të majtë.
Kryebashkiaku: Këshilli po harron komunitetin


Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, pas zhvillimeve të fundit i ka bërë thirrje policisë së rendit dhe qeverisë që të qëndrojë larg presioneve ndaj bashkisë, si dhe komunitetit të Patosit.

"Këshilli i Bashkisë është fokusuar dhe instrumentalizuar tërësisht politikisht dhe nuk ka asnjë lloj vëmendje për atë që unë them se është çështja më e rëndësishme e ditës: interesi i komunitetit",- tha Meli. "Është e treta mbledhje dhe e katërta për ditën e sotme (djeshme) e cila dështoi.

E sotmja jo për arsye se ishte një mbledhje reale, por se kishte një mllef të djathtë që shkel edhe ligjin. Policia ka qenë e pranishme brenda dhe jashtë bashkisë, kjo në kundërshtim me ligjin.


Njëri prej drejtuesve të policisë thotë se ka një urdhër nga prefekti. Urdhri nuk jepet, por vetëm thuhet nga shefi i rendit",- ka përfunduar kryebashkiaku. K.Thanasi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›