E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden me një shtetas, e marrin peng

DURRËS/ Bajram dhe Gentian Vrioni janë vënë në pranga, ndërsa është shpallur në kërkim 19-vjeçari Selim Leba


Sipas kallëzuesit, tre personat e kanë goditur dhe e kanë kërcënuar me armë. Më pas e kanë futur në bagazh


DURRËS - Janë grindur me një person për motive banale dhe më pas e kanë marrë peng duke e futur në bagazhin e makinës dhe duke e lënë në grykëderdhjen e lumit Erzen.


Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë, ndërsa në pranga kanë përfunduar Bajram Vrioni, tregtar, si dhe Gentian Vrioni, teksa është shpallur në kërkim Selim Leba, 19- vjeçar, i dënuar më parë për "armëmbajtje pa leje".


Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se një 25-vjeçar me inicialet H.C., i lindur në Dibër dhe banues në fshatin Fllakë të Durrësit ka denoncuar tre shtetas se e kishin rrëmbyer dhe kërcënuar me armë. Sipas kallëzimit të kryer në polici, 25-vjeçari ka qenë duke lëvizur me një automjet tip "Audi" pa targa rreth orës 22:00 të së hënës.


Në këtë kohë i kanë dalë përpara tre shtetasit Bajram e Gentian Vrioni, si dhe Selim Leba, të cilët nën kërcënimin e armëve e kanë ndaluar dhe më pas e kanë futur në një bilardo, pronë të tyre, duke e kanosur. Më pas ata e kanë futur me forcë në bagazhin e automjetit dhe e kanë çuar deri në grykëderdhjen e lumit Erzen, ku e kanë lënë, duke u larguar më pas.
Kur ka mundur të shpëtojë nga duart e tre rrëmbyesve të tij, 25-vjeçari është paraqitur në polici ku ka bërë edhe denoncimin përkatës. Ai është shprehur se e gjithë ngjarja ka ndodhur për motive banale, ndërsa ai ishte kërcënuar me armë.


Pas marrjes së denoncimit, nga ana e policisë së Durrësit është bërë vënia në pranga e Bajram e Gentian Vrionit, ndërsa Selim Leka është ende në kërkim.


Njoftohet se automjeti tip "Audi" në pronësi të 25-vjeçarit nga Fllaka është gjetur i braktisur disa metra larg vendngjarjes, ndërsa policia ka bllokuar edhe automjetin tip "Benz", me portobagazh, ngjyrë gri, me targa italiane, pronë e shtetasit Gentian Vrioni.

Prej atij mjeti janë marrë edhe shenjat e gishtërinjve, ku nga të dhënat e para, ndodheshin edhe shenjat e vetë të dëmtuarit. Ndërkohë, mësohet se nuk janë gjetur armët e krimit, të pretenduara nga vetë 25-vjeçari se janë përdorur për ta kërcënuar. Gjithashtu, nga vizita e kryer ka rezultuar se i dëmtuari ka pasur shenja të plagosjes së lehtë.


Nga ana e policisë është vënë në kërkim 19-vjeçari Selim Leba, lindur dhe banuees në fshatin Katund i Ri, i cili ka qenë i dënuar edhe më parë për "armëmbajtje pa leje". Materialet në ngarkim të tre shtetasve të lartpërmendur i kanë kaluar prokurorisë së Durrësit, ndërsa akuza e ngritur ndaj tyre është "heqje e paligjshme e lirisë, e kryer në bashkëpunim".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›