Beteja e fundit e diadës me triadën
Në skenën politike të vendit duket se ka mbërritur ora për një betejë të fundit pranuese ose refuzuese, mes diadës dhe premisave të pakthyeshme të triadës politike. Dy partitë kryesore, monopolistet e deritanishme të përfaqësimit politik dhe institucional në vend, po kryejnë aktin e fundit më themelor, të legjitimimit të pushtetkëmbimit rotacional mes tyre. Këtë gjë, dy partitë kryesore, PD dhe PS, e realizojnë përmes fiksimit të rregullave në Kodin e ndryshuar, i cili do të konsiderohet si dokumenti themelor i procesit të afërt elektoral. Dhe fjala është për procesin e vonuar të reformës zgjedhore. Burimet mediatike bëjnë të ditur se, gjatë orëve të fundit, komisioni miks i kësaj reforme ka fiksuar disa prej ndryshimeve thelbësore të këtij Kodi dhe të përfaqësimit të subjekteve në administratën e re zgjedhore. Këto ndryshime kanë sanksionuar paritetin e tyre zgjedhor, si dhe legjitimojnë edhe një herë mundësinë e madhe të vijimit të konkurrencës në imazhin e skemës klasike të diadës politike (PD-PS nënkuptuar si E Majtë- E Djathtë). Kjo diadë e krijuar në krye të këtij tranzicioni postkomunist pretendohet të mbahet si skemë e vetme e udhëheqësimit politik, ndonëse në jetën e tashme dhe në hapësirën e kësaj skene politike është shfaqur dhe ka zënë vend një forcë tjetër. (Nuk e kemi fjalën vetëm për LSI-në, por për disa prej forcave politike të cilat me hir dhe pahir i janë futur në hisenë e pushtetit si të majtës së djeshme, ashtu edhe së djathtës së sotme). Fjala është për premisën reale dhe shfaqjen në rritje, të forcës tjetër, e cila as më pak e as më shumë, mund të konsiderohet si faktori i tretë që shënon kohën reale të kalimit nga diada politike në triadën e re. Në librin e tij "E djathta & e majta", politologu italian, Norberto Bobbio, shënon se triada politike vjen edhe përmes shfaqjes aktive të së Tretës. Bobbio shkon më tej, duke fiksuar termin për të Tretën përfshirëse dhe të Tretën e Përfshirë. Ai thekson se "e Treta e përfshirë e zbulon thelbin e vet, duke i nxjerrë ato dy entitete jashtë vetes, ndërsa e Treta përfshirëse duke u ushqyer me to; e Treta e përfshirë paraqitet kështu si një praktikë pa doktrinë, ndërsa e Treta përfshirëse si një doktrinë në kërkim të një praktike...". Kjo skemë e teorizuar prej dekadash duket se gjendet aktuale në jetën e sotme politike të vendit. Këtë prezencë e aktualizon më së shumti në ditët e afërta, përplasja për përfaqësimin institucional të forcave politike në administratën zgjedhore dhe për rezultatin e ardhshëm elektoral. Dy partitë kryesore, PD dhe PS, mesa duket, kanë miratuar dhe kanë rënë dakord për thelbin e reformës zgjedhore, pra KQZ-në. Sipas njoftimeve paraprake, ulja e numrit të anëtarëve të këtij institucioni nga 9 në 7 anëtarë, legjitimon përfaqësimin diadik në organin qendror zgjedhor. Kjo gjë, sipas këtij varianti, kryhet prej vullnetit të shumicës parlamentare dhe dakordimit të korpusit kryesor të opozitës. Njëjtësimi në kohë, i mandatit të KQZ-së me atë të Parlamentit, duke e ulur nga 7 vjet që është aktualisht në 4 vjet, rikthen balancën bipartiake, por jo balancën reale mes kaheve dhe forcave politike. Ndërsa klauzola që parashikon ky draft për mundësimin e propozimit të dy kandidatëve të tjerë, vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi i forcave të diadës (PD-PS) sipas të gjitha gjasave, ka për të qenë argument i mjaftueshëm për hedhjen e partive të dyta (të secilit spektër) në një ofensivë pakënaqësie. Kjo shfaqje e pashmangshme e pakënaqësisë, si dhe koha që do investohet për të, mendoj se ka për të qenë parafushata më e egër politike në sipar të fushatës elektorale. Formula e diadës partiake imponuese ka për të rindezur konfliktet e brendshme në kampet respektive. Kjo skemë kërcënon përfundimisht me ekzistencë, partitë e vogla politike të cilat janë investuar si ngjyra të dobëta apo të forta përgjatë gjithë periudhës së pluripartizmit postkomunist në vend. Për këtë shkak ekzistencial dhe natyrisht edhe për shkak të prishjes së interesave të investuara në shumanshmëri, gjatë 18 vjetëve të fundit, përplasja e re që po shpallet, ka për të sjellë befasira në jetën dhe skenën parlamentare të vendit. Kjo është beteja e parë e një lloji të ri mes diadës tradicionale dhe triadës reale. Beteja është e egër dhe ka arsye të jetë e tillë për vetë faktin se forca që tashmë e ka ndryshuar skemën, ka fituar valencën e vet jo vetëm politike, por edhe elektorale. Deri tani, kjo forcë, nuk ka pasur legjitimim institucional. Ajo ka mbetur e eklipsuar deri para katër vjetësh, prej siglave klasike të forcave të bipolaritetit, ndërsa gjatë këtyre katër vjetëve, ajo ka krijuar imazhin e vet real, ka shtuar ndikimet, është vetëfaktorizuar dhe është aktor imponues në skenën politike. Triada politike sot është realitet dhe si i tillë, ai nuk mund të mohohet prej një marrëveshjeje makiaveliste mes dy forcave të diadës (PS-PD). Kjo marrëveshje antagonistësh politikë, në një farë mase, mund të shërbejë si argument për solidaritet publik nga forca e dytë e së majtës, e cila vazhdon të klasifikohet deri tani si një pjesë themelore e së Tretës së përfshirë. (Kjo është kohë që LSI e Ilir Metës të përdorë praktikën e vet për gjetjen e fillit doktrinar, të cilin, deri tani, duket se e ka pasur të humbur, për shkak të një imazhi karrigekërkuesi).
Pretendimi i tanishëm dhe pse jo, reagimi i egër i pritshëm i Ilir Metës dhe disa politikanëve të tjerë, të të papërfshirëve, si pjesë administrate në administrimin e rezultatit dhe bilancit real zgjedhor, janë mjaftueshmëria për një krizë të re politike paraelektorale. Forcat e diadës do të tentojnë të përdorin edhe një herë forcat e treta dhe të katërta, duke tentuar dobësimin dhe lënien monofill të partive të dyta, ose të forcës së Tretë reale, por të palegjitimuar. Kjo betejë e fundit ka vlerë themelore dhe rëndësi jetike për cilësinë e pluripartizmit dhe vlerat e demokracisë ndërpartiake.
Pretendimi i tanishëm dhe pse jo, reagimi i egër i pritshëm i Ilir Metës dhe disa politikanëve të tjerë, të të papërfshirëve, si pjesë administrate në administrimin e rezultatit dhe bilancit real zgjedhor, janë mjaftueshmëria për një krizë të re politike paraelektorale. Forcat e diadës do të tentojnë të përdorin edhe një herë forcat e treta dhe të katërta, duke tentuar dobësimin dhe lënien monofill të partive të dyta, ose të forcës së Tretë reale, por të palegjitimuar. Kjo betejë e fundit ka vlerë themelore dhe rëndësi jetike për cilësinë e pluripartizmit dhe vlerat e demokracisë ndërpartiake.