E Shtunë, 31 Tetor 2026

JO-të e buta

Përgatitjet për negociata të reja tashmë kanë filluar. Që të gjithë po bëhen gati. Serbia duke i kërkuar negociatat, qeveria e Kosovës duke i refuzuar ato, kurse UNMIK-u dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë duke ndërmjetësuar. Edhe pas pavarësisë situata vazhdon të mos jetë ferr në mënyrë të dyfishtë. Së pari, bashkësia ndërkombëtare ndërmjetëson bisedimet e Kosovës me Serbinë, ndërkohë që edhe sundon me Kosovën. Së dyti, do të negociohet me Serbinë vetëm për Kosovën, territorin dhe organizimin institucional e administrativ të saj, por jo edhe për Serbinë. Kjo asimetri e dyfishtë i bën negociatat të padrejta dhe kushtëzon rezultate të pafavorshme për Kosovën.

Janë disa shkaqe që po çojnë te negociatat e reja. Qeveria e Kosovës e ka mbajtur në axhendë vetëm çështjen e njohjes së Kosovës. Andaj, problemi kryesor tashmë ngjan të jetë mosnjohja nga Spanja, Sllovakia etj., si dhe anëtarësimi në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare. E gjitha kjo shpie te thelbi i mungesës së njohjeve e që është mosnjohja e Serbisë. Porsa Serbia ta njihte Kosovën, të gjithë më pas do të na njihnin. Prandaj, duhet të bisedohet me Serbinë për këtë punë, apo jo? Përmes bisedimeve me të duhen parë mundësitë për njohjen e Kosovës, me ç‘rast sigurisht se duhet t‘i jepet diçka Serbisë.

Shkaku tjetër që po i sjell negociatat është nevoja e EULEX-it që të shtrihet në tërë Kosovën, në mënyrë që të ketë kredibilitet para shqiptarëve. EULEX-i nuk mendon të funksionojë në enklava, e sidomos jo në veri. EULEX-i do që vetëm të jetë prezent atje, në mënyrë që të duket më legjitim atëherë kur do të veprojë në vendbanimet e Kosovës, të banuara me shumicë shqiptare. EULEX-i nuk do që të vendoset me forcë. Prandaj, e do paraprakisht miratimin e Beogradit, i cili dirigjon me strukturat e Serbisë në Kosovë. Mirëpo, për shtrirjen e EULEX-it në veriun e Kosovës, Serbia do që të kompensohet disi. BE-ja nuk do që t‘i japë asgjë Serbisë nga vetja e vet, por është i gatshëm që të japë diçka që i përket Kosovës. Dhe, në këtë pikë ftohet qeveria e Kosovës që të dakordohet për t‘i bërë koncesione Serbisë, në mënyrë që EULEX-i të shtrihet edhe në veri. Edhe qeverisë së Kosovës i vjen përshtat kjo gjë. Ashtu siç është e painteresuar për integritetin territorial të vendit, me shtrirjen e EULEX-it në veri do të mund ta mirëmbante më kollaj iluzionin se Kosova megjithatë është e pandarë.

Faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë po ashtu i inkurajojnë negociatat. Kosova e pavarur nuk ka zhvillim ekonomik, varfëria e papunësia rriten dhe çdo gjë tregon drejt shpërthimit të kësaj gjendjeje. Kosova i ngjan një fuçie baruti, që vazhdimisht rritet, porse nuk shpërthen meqë nuk ka shkëndijë. Faktorët ndërkombëtarë nuk duan të diskreditohen në vendin që botërisht njihet si produkt i intervenimit humanitar. Negociatat me Serbinë, si proces drejt marrëveshjes që do të mundësonte shtensionimin e situatës në dhe rreth Kosovës së bllokuar, këtyre faktorëve u ngjajnë të jenë si mënyrë shpëtimi. Kur kihet parasysh edhe Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, që pritet të ndajë drejtësi mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shteteve të fuqishme që e njohën Kosovën negociatat e Kosovës me Serbinë u dukën si shanse që palët në kontest të merren vesh jashtë gjyqit. Kornizat e këtyre negociatave i ka përcaktuar i dërguari i OKB-së, Andrew Landley, në planin e tij prej gjashtë pikash në përputhje me letrën e Ban Ki-Moon-it. Policia, gjyqësia, doganat, transporti dhe komunikacioni, kontrolli i kufijve dhe trashëgimia kulturore do të jenë temat e diskutimit. Pranimi i negociatave do të thotë pranim i kësaj axhende. Aty nuk do të diskutohet për Luginën e Preshevës dhe as për krimet e Serbisë. Pozicioni fillestar i Kosovës është Plani i Ahtisarit, kurse ai i Serbisë e ashtuquajtura ndarje funksionale e Kosovës, duke shtuar ndonjë lidhje të sipërme institucionale ndërmjet Prishtinës e Beogradit për t‘ia ruajtur sovranitetin nominal Serbisë mbi Kosovën. Nëse pranohen këto negociata, atëherë rezultati do të jetë diku nga mesi, pra edhe më poshtë se Plani i Ahtisarit, i cili edhe ashtu nuk është aspak i favorshëm për Kosovën.

Por, a do t‘i pranojnë këto negociata Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi? Sigurisht që po. Ata nuk po i refuzojnë negociatat në mënyrë që ato të mos ngjajnë. Ata nuk po i refuzojnë negociatat që t‘i refuzojnë negociatat. Ata po i refuzojnë negociatat pikërisht që t‘i pranojnë ato. JO-të e buta janë uverturë e natyrshme e PO-së përfundimtare. Nëse do t‘i pranonin menjëherë negociatat, ata do të diskreditoheshin para qytetarëve. Ata nuk mund të pranojnë duke pranuar, por pikërisht duke refuzuar (butë, gjithnjë e më butë). Andaj, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi e rrisin trysninë ndërkombëtare mbi veten e tyre, në mënyrë që atëherë kur do të thonë PO, kjo të duket sa më e arsyeshme para qytetarëve, të cilët do të mund të mendojnë se "Fatmiri e Hashimi nuk patën çajre pa thënë PO". Fatmiri e Hashimi janë nën presion? Nuk është ky problemi. Fatmiri e Hashimi e duan presionin - ky është problemi. Pra, problemi i krerëve tanë të politikës në Kosovë nuk është se ata janë nën trysni, por që vetë ata e duan këtë trysni dhe nuk bëjnë dot pa të.

Politikanët e Kosovës (përfshirë këtu Sejdiun e Thaçin) kanë bërë shumë koncesione në Vjenë. Ato, në fund, u përmblodhën në Planin e Ahtisarit. Pavarësia e Kosovës nuk u parapri me referendum, pra nuk u lidh me vullnetin dhe të drejtën e popullit dhe as me drejtësinë për të kaluarën. Atëbotë, Grupi Negociator i Kosovës, të vetmen bazë për pavarësinë e Kosovës e la rekomandimin e Ahtisarit, që u dha ndaras prej planit të tij. Pas shpalljes së pavarësisë, Sejdiu e Thaçi nuk u brengosën fare për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo gjë sigurisht se i nxit ndërkombëtarët dhe Serbinë që të mendojnë se këta lëshojnë pe edhe më shumë se kaq. E vetmja gjë që nuk do t‘u ofrohet serbëve në veri të Kosovës dhe enklava është ushtria e tyre. Policia, gjyqësia, doganat, arsimi, shëndetësia, mbledhja e tatimeve, trashëgimia kulturore ortodokse etj., të gjitha këto do t‘u ofrohen edhe përtej Planit të Ahtisarit. E, sa për ushtri, atë edhe ashtu nuk e kanë as shqiptarët e Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›