E Diel, 1 Nëntor 2026

Heroina, zbulohet rrjeti që vepron në pesë shtete

 

OPERACIONI/ Policia vuri në pranga Fatbardh Dollën, ndërsa sekuestroi një sasi prej 7 kilogramësh heroinë

BERAT – Aksioni i koduar “Taksisti 2” përfundoi me arrestimin e Fatbardh Luftar Dollës, banor i lagjes “Uznovë” dhe sekuestrimin e 7,255 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Me profesion taksist, historia e 39-vjeçarit e ka zanafillën në një rrjettrafikantësh, emrat e të cilëve nuk bëhen ende të ditur për shkak të hetimeve. Burime të rezervuara nga grupi i ekspertëve të antidrogës, të cilët janë marrë me hetimin, bënë të ditur se gjatë mbikëqyrjes e deri në finalizimin e aksionit, janë zbuluar dhe të gjitha transaksionet, si dhe udhëtimet e bëra nga Athina në Tiranë dhe anasjelltas të trafikantëve, pjesë e këtij rrjeti. Madje, sipas të njëjtave burime, në 7 muajt e fundit, vetëm një trafikant ka marrë në doganat përkatëse 167 hyrje e dalje në pasaportën e tij. Gjithashtu pohohet se për të realizuar qëllimet, rrjeti ka përdorur edhe avion çarter, çka tregon se transaksionet e sasive të drogës dhe të parave të përfituara prej saj, kanë qenë në sasi të mëdha. Trafikantët duket se kanë arritur të fusin në rrjetin e tyre persona me ndikim për t’u hapur më pas rrugën në vendet më të rëndësishme ku u vendosej “trau i bllokimit”. Gjithsesi, mësohet se nën hetim ka edhe shumë persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rrjet. Dyshimet e para janë se në këtë rrjet përfshihen trafikantë të 5 shteteve: Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Turqi e Angli. Gjatë operacionit të së enjtes, policia sekuestroi në Kakavijë në automjetin e Dollës 14 pako ku ndodhej lënda narkotike. Në automjetin tip “Benz” me targë BR 2627 B, u sekuestrua edhe shuma prej 300 eurosh. Ndaj 39-vjeçarit është ngritur akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›