Si rreh një zemër artificiale?
Ka formën e një zemre, rreh si një zemër, reagon si një zemër, por nuk është një zemër e vërtetë. Është thjesht një protezë, e para e krijuar me karakteristika kaq të ngjashme me modelin njerëzor dhe me arsyen për të bërë realitet shpresën e miliona njerëzve të sëmurë në botë, të cilët kanë nevojë për një zemër, por nuk mund të gjejnë donatorë. Për këtë, prototipi i krijuar përmes shumë viteve punë nga profesor Alain Carpentier, kardiologu më i famshëm francez, një ekip kërkuesish gjermanë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të grupit që prodhon avionët "Airbus", duket se ofron një alternativë reale me zemrën njerëzore, shumë herë më të mirë se ato të ndërtuara deri më tani në Amerikë, Japoni, apo Korenë e Jugut, përkatësisht me emrat Jarvik-7, Abiocor dhe Magscrew. E provuar deri tani në kompjuter dhe në testet e bëra te lopët e delet, zemra e re artificiale, që nuk ka ende një emër, mund të nisë fazën eksperimentale te 20 njerëz vullnetarë brenda 2 vitesh e gjysmë, tregon e përditshmja "Daily Telegraph", që dje u hap me këtë lajm të mrekullueshëm në faqen e parë. "Mund të jetë shpikja më e madhe e të gjitha kohërave", shkruante ajo. "Nëse do t‘ia tregoje grafikun e një elektrokardiograme një kirurgu, do t‘ju thotë se është ajo e një zemre njeriu; edhe pse nuk është, sepse bëhet fjalë për elektrokardiogramin e një zemre artificiale", thotë profesor Carpentier. Kardiologu i njohur francez tregon se i ka kushtuar më shumë se 20 vjet punë, sepse e shihte si shumë tronditës faktin që të shihte çdo ditë njerëz me moshë 40, 45 apo 50 vjeç që vdisnin për shkak të një ataku në zemër, sepse nuk ekzistonin mundësitë që zemra e tyre të zëvendësohej me një të re. Sëmundjet kardiake janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë, që i kalojnë shifrat e 17 milionë viktimave. Oferta e dhurimeve të organeve nuk arrin t‘i përgjigjet kërkesës, kështu që 20 mijë pacientë në vit në të gjithë planetin mbesin në pritje të një tjetër zemre njerëzore për ta zëvendësuar me zemrën e tyre të sëmurë. Organet artificiale të krijuara në të kaluarën kanë shumë mospërputhje: për shembull, Jarvij -7 ka disa tuba që duhet të kalojnë përmes lëkurës; Abiocor mund të shkaktojë mpiksje gjaku që të çon drejt infarktit. Për arsye të tilla konsiderohen si zgjidhje urgjente që mund të përdoren përkohësisht, ndërsa pret një tjetër donator. Zemra e dizajnuar nga "Carmat", shoqëria e themeluar nga profesor Carpentier dhe "Eads", gjigandi aereo-hapësinor dhe ushtarak i industrisë evropiane, duket në gjendje t‘i kalojë fare lehtë këto pengesa. Zemra e re e krijuar nga profesor Carpentier është e pajisur me sensorë që rregullojnë automatikisht rrahjet kardiake, duke deshifruar edhe nevojat e trupit: për shembull duke rritur ritmin ndërsa personi ecën dhe duke e zvogëluar kur ai pushon. Ndërkaq, ajo është në gjendje të reduktojë rrezikun e një mospërputhjeje falë një "pseudo-lëkure", një material mikroporoz biosintetik dhe inde kafshësh të modifikuara kimikisht. Një marrës titani i vendosur në tru do ta përçonte energjinë e dërguar përmes lëkurës nga një bateri e vendosur nga jashtë. Për ta çuar këtë projekt deri në fazën aktuale, "Carmat" ka shpenzuar 55 milionë euro, një shumë vërtet marramendëse. Por, asgjë nuk ka përfunduar. Për të nisur fazën e prodhimit të tyre i duhet të harxhojë edhe 100 milionë euro të tjera. Kështu, nëse testet e bëra te njeriu do japin rezultate pozitive dhe autoritetet shëndetësore do të aprovojnë përdorimin e saj, zemra artificiale mund të jetë në dispozicion të pacientëve brenda vitit 2013. "Duhet të presim rezultatet e testeve klinike për të parë nëse do të funksionojë vërtet. Duhet kohë dhe shumë kujdes për të mos zhgënjyer pritshmërinë e mijëra pacientëve në të gjithë botën", tregon një tjetër bashkautor i ekipit që ka punuar me profesor Carpentier. Kardiologu francez nuk harron të na kujtojë edhe këshillat për një zemër të shëndetshme. "Në të vërtetë, sëmundjet e ndryshme kardiake janë shumë komplekse. Kjo ndodh sepse klinikisht janë rezultati i një ndërveprimi ndërmjet faktorëve ambientalë dhe trashëgimisë gjenetike. Te të parët futen të ashtuquajturit faktorë rrezikues, ndërsa për isheminë e zemrës janë kolesteroli i lartë në gjak, diabeti, pirja e duhanit, hipertensioni arterior dhe obeziteti. Shumë persona që vuajnë nga sëmundjet kardiake thuhet se e kanë të trashëguar. Kështu është, sëmundjet kardiake janë të trashëguara, por ajo që duhet theksuar është se janë të pakta dhe të rralla", tregon profesor Carpentier. Predispozita është e lidhur me aktivitetin e ndryshëm të gjeneve që rregullojnë mekanizmat kryesorë të sëmundjeve, ku simptomat e saj janë ato që lidhen me aktivitetin kardiovaskular, por ka edhe forma të tjera të sëmundjes së zemrës. Në fakt, sëmundjet e zemrës janë të pakta dhe të rralla. Ndër më të shpeshtat duhet të përmendim: ishemia e zemrës, angina, infarkti i miokardit akut dhe vdekja e papritur koronarike. Por këtu nuk duhen harruar edhe kardiomiopatia, kardiopatia e lindur, valvulapatia reumatike dhe aritmi. Këto sëmundje prekin zakonisht moshat mbi 40 vjeç, por në shumë raste këto sëmundje janë të trashëguara. Megjithatë, moshat më të rrezikuara janë ato mes 50 dhe 60 vjeç. Simptoma e sëmundjeve të lindura të saj ka të bëjë me cianozën dhe prishjen e ekuilibrit të parakohshëm që në lindje. Valvulopatia reumatike ka të bëjë me gulçime, edemë periferike, si dhe aritmi. "Sëmundja më e rrezikshme që prek zemrën, si dhe një nga më të shpeshtat, është padyshim infarkti. Dhembja është më e gjatë dhe e pandjeshme ndaj nitrateve, të cilat shfaqen me ndjenja të tjera, si ajo e vdekjes së shpejtë, me djersë të ftohta dhe hipertension të theksuar. Faktorët më të mëdhenj të rrezikut, sipas studimeve të fundit, janë: hiperkolesterolemia, pirja e duhanit, diabeti, hipertensioni dhe obeziteti. Jo çdo formë e stresit ndikon në aktivitetin kardiak. Vetëm ai negativi, vetëm ai që lidhet me ndjenjën që nuk i përballon dot problemet. Një efekt negativ ka dhe një dietë e çekuilibruar. Është vërtet një "vrasës" i pamëshirshëm. Përveç dëmeve që provokon në aparatin e frymëmarrjes, është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e kardiopatisë ishemike", përfundon eksperti. Çfarë të bëjmë për të parandaluar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare? "Është stili i jetesës perëndimore ai që shkakton pjesën më të madhe të patologjive koronare. Duhani, një dietë e pasur me yndyra, aktiviteti i pakët fizik, obeziteti, diabeti, alkooli i tepërt, ndikojnë në përkeqësimin e patologjive koronare. Këta faktorë të rrezikshëm janë përgjegjës në më shumë se 80% të patologjive kardiovaskulare, të cilat mund të reduktohen duke ndryshuar stilin e jetesës. Duhani është vërtet një "vrasës" i pamëshirshëm. Përveç dëmeve që provokon në aparatin e frymëmarrjes, është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Për shembull, ai është përgjegjës për rreth 50% të të gjitha vdekjeve që mund të shmangen: ka një korrelacion statistikisht domethënës mes numrit të cigareve të pira dhe rrezikut kardiovaskular. Në këtë pikë, të gjithë studiuesit janë dakord që rekomandimi i parë për parandalimin kardiovaskular është të mos pish duhan", thotë një profesor gjerman.