E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja për KLD-në, gjyqtarët ankohen tek Kushtetuesja

Përfaqësuesi i Shoqatës së Gjyqtarëve, Klodian Rado: Të shfuqizohet ligji, gjyqtarët janë të papërfaqësuar

TIRANË- Zgjerohet konflikti ligjor midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. Pas debatit të hapur me Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin për projektligjin “Për administratën gjyqësore”, komuniteti i gjyqtarëve ka nisur një tjetër betejë, atë për shfuqizimin e ligjit “Për Konferencën Gjyqësore” si të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka hapur dje procesin për marrjen në shqyrtim të dy kërkesave të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve (SHKGJ): për shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të Ligjit "Për Organizmin dhe Funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare" dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë.

Argumentet

Argumentet juridike ku SHKGJ mbështeti kërkesën e vet, konstatonin në konkluzionin se problematika që ka sjellë ky ligj për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, prek Kushtetutën dhe efektivitetin e pushtetit gjyqësor në disa drejtime. Kështu, sipas përfaqësuesit të palës ankimuese, gjyqtarit Klodian Rado, Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK) aktuale është organizuar dhe funksionon sipas një ligji që është miratuar në kundërshtim më dispozitat urdhëruese të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sa i përket procesit ligjvënës, duke u miratuar me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që si ligj organik, duhet të ishte miratuar më shumicë të cilësuar prej 3/5 të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Gjithashtu Rado pretendoi në fjalën e vet të mbajtur para trupit gjykues se ky ligj nuk i lejon gjyqtarët të marrin pjesë të gjithë në KGJK, dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë në KLD. “Kjo mënyre e re organizmi e Konferencës Gjyqësore Kombëtare është jo e drejtë dhe cenon demokratizimin e pushtetit gjyqësor, duke suprimuar demokracinë e drejtpërdrejtë në këtë pushtet”, - u shpreh Rado gjatë prezantimit të argumenteve të veta. Gjithashtu përfaqësuesit e palës kërkuese, kanë theksuar se një model i tillë krijon në organizmin e pushtetit gjyqësor organe eprore dhe të zgjedhura nga njëra anë dhe gjyqtarë të pazgjedhur nga ana tjetër, ndërkohë që Kushtetuta përcakton qartë se pushteti gjyqësor është i pavarur jo vetëm nga pushtetet e tjera por edhe midis hallkave që e përbëjnë atë. Rado ka vlerësuar ndër të tjera se ligji ekzistues ekspozon më shumë gjyqësorin ndaj presioneve me origjinë politike sidomos nga pushteti ekzekutiv, duke pasur parasysh rolin e Ministrit të Drejtësisë në emërimin e kryetarëve të gjykatave dhe të drejtën e nisjes së procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Kjo mënyrë e re organizimi që bën ligji sipas Rados, mund të krijojë rrezik real për pushtetin gjyqësor shqiptar, sepse KGJK-ja është organ i cili ka një sërë kompetencash mjaft të rëndësishme, siç është dhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tre prej të cilëve pritet t’i zgjedhë në muajin dhjetor gjatë mbledhjes së radhës. Prandaj ai ka kërkuar që ligji ekzistues fillimisht të pezullohet dhe tre anëtarët e rinj të KLD-së të mos zgjidhen sipas procedurave që përcakton ky ligj. Ndërkohë, përfaqësuesi i Kuvendit, Lulëzim Lelçaj, u shpreh kundër një pretendimi të tillë pasi qoftë pezullimi ashtu edhe shfuqizimi i këtij ligji do të krijonte boshllëk ligjor.

Vendimi

Pas përfundimit të procesit të prezantimit të qëndrimeve të palëve, kërkuesi, në këtë rast Klodian Rado kërkoi shfuqizimin e ligjit, kurse Kuvendi dhe Konferenca Gjyqësore me përfaqësuesit e vet e lanë në çmim të gjykatës. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët në prezantimin e argumenteve respektive u tërhoq për të marrë vendimin për rrëzimin e kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve për pezullim të ligjit me argumentin se ajo është e paargumentuar dhe se nuk prek interesa të rëndësishme shtetëror. “Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ligjit deri në shpalljen e vendimit përfundimtar, si të paargumentuar dhe pabazuar në fakte”, - u shpreh kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Ndërkohë, kjo gjykatë vendosi njëkohësisht të marrë në gjykim kërkesën tjetër, atë për shfuqizimin e ligjit “Për Konferencën Gjyqësore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›